Në zgjedhjet vendore të 2011, edhe falë votave të komunistit të ndjerë Hysni Milloshi, Lulzim Basha arriti të mposhtë Edi Ramën. 12 vjet më pas, një tjetër komunist, Marko Dajti, e rreshton emrin në krah të pretendentëve për kreun e Bashkisë së Tiranës. Këtë radhë regjistrimi i tij, bëhet falë firmës së deputetit të djathtë, Flamur Noka.

Për të hyrë në garë, Marko Dajtit, si përfaqësues i Frontit të Majtë i duhej mbledhja e firmave nga një numër i konsiderueshëm votuesish. Më pas vlerësimi, hetimi dhe pranimi i tyre nga KQZ. Për t’ia bërë më të lehtë punën, ka menduar deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Regjistrimi i kandidatit komunist në KQZ është bërë në limitet e afatit, në 27 mars. Në dokumentacionin shoqërues të Marko Dajtit, shfaqet formulari i vetëdeklarimit, ku Flamur Noka si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, shkruan se përfaqëson Partinë Fronti i Majtë.

Marko Dajti do jetë një nga 6 kandidatët për kreun e bashkisë së kryeqytetit. Ne garë, përpos Erion Veliajt, kreut aktual, nën siglën e PS, është edhe Belind Këlliçi, si përfaqësues i koalicionit, “Bashkë Fitojmë”. Pas tyre do renditen edhe tri emra të tjerë. Roland Bejko është kandidati nën siglën e Partisë Demokratike zyrtare e drejtuar nga nënkryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj.

Partia për integrim e Unitet, (PDIU), ka vendosur të regjistrojë në garë, një tjetër përfaqësues të së djathtës. Ish-deputetja, Lajla Përnaska do mbrojë ngjyrat e forcës së drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Në listë do të jetë edhe Arlind Qorri. Pedagogu rebel do të jetë kandidati i partisë, “Lëvizja Bashkë”.

Klan News