Veliaj: Prioritet investimet në fushën e teknologjisë dhe start up-eve dixhitale

Bashkia e Tiranës dhe Korporata e Investimeve Shqipare ( AIC ) nënshkruajnë Memorandumin e Bashkëpunimit për nxitjen e politikave të zhvillimit dhe sipërmarrjeve të reja, veçanërisht në fushën e teknologjisë digjitale.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nënvizoi se zona e lirë ekonomike në Kashar është një prej këtyre hapësirave ku bizneset mund të zhvillojnë potencialet e tyre.

“Më vjen mirë që Korporata e Investimeve Shqiptare, bashkë me Bashkinë e Tiranës, fillojnë sot këtë marrëveshje. Kemi disa mundësi fantastike, një prej tyre është zona e lirë ekonomike në Kashar. Ne kemi marrë statusin, por në fakt kemi nevojë për ju, që të rekrutojmë klientë potencialë. Disa kanë filluar të vijnë vetë, siç janë disa data center, kompani automotive, por na duhet që të popullojmë të gjithë atë hapësirë me kompani që paguajnë më mirë, me punë që janë më të sofistikuara, që kanë një vlerë të shtuar në gjithë zinxhirin ekonomik të vendit”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ky është një moment tepër i rëndësishem për zhvillimin ekonomik, për të parë rreth profesioneve të së ardhmes.

“Pyetja që kemi sot është: Cila do jetë Tirana dhe Shqipëria e vitit 2050? Do jetë ajo e prindërve tanë që bënin dhe qepnin këmisha e këpucë apo bënin le të themi punë asemblimi të thjeshta, apo do bëjmë punë më sofistikuara, punë dixhitale, punë që paguhen më mirë dhe punë që mund të bëhen edhe në distancë, pa u detyruar që dikush të shkojë në Itali, Gjermani apo të kërkojë të ardhmen diku tjetër”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se 2022, kur Tirana do të jetë dhe Kryeqyteti Europian i Rinisë, është një mundësi fantastike edhe për investimet me fokus rininë.

“Ne do të jemi vitin tjetër Kryeqyteti Europian të Rinisë, një mundësi fantastike edhe për aspektin ekonomik. Shumë të rinj në këtë fazë janë duke menduar vetëm për pjesën kulturore, por unë besoj që është një mundësi për të bërë një çikë më shumë se kaq dhe përtej argëtimit, ne na duhet të mendojmë fort për ekonominë rinore dhe për punë që të rinjtë sot po i kërkojnë masivisht, siç mund të jenë në fushën e teknologjisë, kodimit, të start up-eve dixhitale. Disa organizime të tipit, si do bëhet Tirana më atraktive për nomadet dixhitale, si do sigurohemi që shumë nga start-upet bëhen stay-up, pra jo vetëm që lindin, por edhe rrinë në treg; si do krijojmë një kulturë për ata që quhen angel investitors”, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj.

Përfaqësuesi i AIC, Ermal Frashëri, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, e cila sipas tij do të ofrojë mundësinë e eksplorimit dhe të diversifikimit të projekteve ekonomike./tvklan.al