Veliaj lëviz 20 drejtues, u kërkon të fokusohen te zgjedhjet

Socialistët e Tiranës kanë ndezur motorët për t’i siguruar mandatin e tretë qeverisës Partisë Socialiste në krye të punëve të Shqipërisë. Burime nga Bashkia e Tiranës shprehen se Kryebashkiaku Veliaj ka marrë vendimin për të rifreskuar disa nga drejtoritë e rëndësishme, me qëllim që ish drejtorët të angazhohen me kohë të plotë në fushatën zgjedhore, që duket se ka nisur që tani.

Kjo lëvizje e Erion Veliajt, i cili është edhe drejtuesi politik i PS për Tiranën, lidhet me përpjekjet për të maksimalizuar rezultatin në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. Mësohet se Veliaj i ka takuar personalisht ish-drejtuesit dhe u ka kërkuar atyre të fokusohen për një fitore bindëse të PS.

Konkretisht, një nga lëvizjet më të rëndësishme në strukturat e bashkisë është Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, i cili do t’ia lërë vendin Elton Kacidhes. Ky i fundit ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik. Ndërkohë, që në vendin e Kacidhes është emëruar Erind Bejko, i cili ia ka lënë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Bashkëpronësisë, Aurel Çukos. Ish-drejtori i UKT-së, Redi Molla, do të ndjekë procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Rifreskimi i strukturave në Bashkinë e Tiranës ka përfshirë edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Urbanistikës, e cila do të drejtohet nga Frida Pashako. Ndërsa Ilda Qazimllari është emëruar në krye të Drejtorisë së Investimeve Publike, duke zëvendësuar ish-Drejtorin Rigels Balla. Ndryshime ka edhe në Drejtorinë e Shërbimeve Funerale, ku ish-drejtuesi Adi Boletini mësohet se është zëvendësuar nga Arjan Manahasa.

Drejtorinë e Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore do ta drejtojë Dhimitraq Furrxhi, që zëvendëson Besim Petrelën. Në fushën e kulturës, duket se ka një rifreskim edhe të drejtuesit të qendrës TEN, ku është emëruar Vitmar Basha. Ndërsa, në krye të shtëpisë muze “Studio Kadare” ka kaluar Brisi Trajko.

Lista vijon edhe me emra të tjerë, të drejtorive më të vogla në strukturën e Bashkisë së Tiranës, ish-drejtuesit e të cilave nga sot kanë zbritur në terren për t’u përgatitur për fushatën zgjedhore.

Tv Klan