Veliaj: “Krahas legalizimit, vijojmë edhe me urbanizimin; Kemi bërë shumë dhe do të vazhdojmë me këtë ritëm për Tiranën”

Problemet e furnizimit me ujë të pijshëm për 10 mijë banorët e Njësisë nr. 4 në Tiranë do të marrin fund shumë shpejt. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetja e PS, Blerina Gjylameti dhe Drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, inspektuan fillimin e punimeve për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellës-kanalizimeve në “Myslym Keta”.

 Kryebashkiaku Veliaj theksoi se krahas procesit të legalizimeve, një vëmendje e posaçme po i kushtohet edhe urbanizimit të këtyre zonave në periferi të kryeqytetit, për t’u ofruar qytetarëve kushte më të mira jetese. “Kemi ecur shumë mirë me legalizimet, por legalizime pa urbanizim nuk ka kuprim. Kjo është arsyeja pse këmbëngulim, që me mbarimin e legalizimit të vijojmë me urbanizimin. Urbanizimi numër një është uji i pijshëm. Pa ujë të pijshëm, pa higjienë, nuk mund të kemi urbanizim. Ndaj më vjen mirë që me këtë invesim në këtë zonë po bëjmë revolucion”, tha Veliaj.

 Rrjeti i ri i ujësjellësit do t’i shërbejë një popullsie prej 10 mijë banorësh, e cila sipas ekspertëve mendohet të rritet në 18 mijë. Veliaj theksoi se tashmë investimet e Bashkisë së Tiranës bëhen me kapacitete më të mëdha për të plotësuar nevojat në të ardhmen. “Po bëjmë investime sikur zona të kishte 18 mijë banorë. Koha e ‘arnimeve’, ku mezi kapim rritjen demografike për çerdhe, kopshte e shkolla, në ujësjellës-kanalizime ka marrë fund. Sot, jo vetëm investojmë për të mbuluar kapacitetet që nevojiten, por investojmë edhe për kapacitete më të larta, për një Tiranë që do të vijojë të rritet. Me ritmet e rritjes aktuale është mëse e nevojshme që kapacitetet e investimeve të reja të parashikojnë edhe të ardhmen afatshkurtër e afatmesme të qytetit të Tiranës”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me ujin e pijshëm, duke shmangur rastet e abuzimit me të. “Meqenëse po afron stina e verës, është e rëndësishme ta kursejmë ujin e pijshëm; është e panevojshme që bahçet të vaditen me ujë të pijshëm, që tapetet dhe makinat të lahen me ujë të pijshëm. Përdorimi i ujit të pijshëm për bahçe, tapete, lavazhe është diçka që jo vetëm është e ndaluar, jo vetëm që do ndëshkohet, por është mënyra më e mirë se si mund të sabotojmë fatin e qytetit tonë në stinën e verës që po afron”, u shpreh Veliaj, ndërsa siguroi qytetarët e Tiranës se Bashkia do të jetë në krye të punëve publike edhe gjatë periudhës së pushimeve të verës për të vijuar me investimet.

“Nuk kemi lënë asnjë muaj pa bërë një investim në Njësinë 4. Për faktin që jemi këtu çdo muaj, besoj se kemi të drejtën t’i shohim njerëzit në sy, për Tiranën, për Shqipërinë që duam. A janë gjërat perfekte? Absolutisht jo! Ne kemi bërë shumë, kemi ende shumë për të bërë dhe do vijojmë me këtë ritëm gjatë fushatës, pas fushatës dhe gjatë pushimeve. Por, ama kemi edhe shumë për të humbur, nëse i vëmë frena dhe kthehemi mbrapsht te Tirana e gjumit apo te Shqipëria e rrumpallës, si ajo që trashëguam tre vite e gjysmë më parë”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime në mënyrë që të garantojnë vazhdimësinë e investimeve në kryeqytet. “Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të dalin masivisht në votime, nëse duan që të vazhdojmë me këtë ritëm. Nëse nuk duan që ta vazhdojmë këtë ritëm, nëse duan t’i ndërpresim punët, nëse duan t’i rikthehemi Tiranës së shkatërruar, mjafton të rrimë në shtëpi. Por, nëse duam që Tirana të ecë përpara dhe siç po përfundojmë këtë muaj sheshin “Skënderbej”, Bulevardin e Ri, Parkun Olimpik dhe gjithë investimet e tjera të Tiranës, si Pazari i ri apo këndi i lojërave te Liqeni, na duhet që çdo qytetar të dalë e të thotë fjalën e vet, nëse do që Shqipëria të shkojë përpara”, theksoi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti deklaroi se investimi i Bashkisë së Tiranës në Njësinë nr. 4 është një tjetër premtim i mbajtur, duke iu përgjigjur në kohë shqetësimit të komunitetit të kësaj zone, e cila e kishte vuajtur për shumë vite mungesën e vëmendjes së shtetit. “Sot vijmë me një premtim të mbajtur, duke parë që vëmendjen e kemi pasur si nga Bashkia për t’iu përgjigjur të gjithë banorëve, por në anën tjetër e kemi pasur edhe nga qeveria fondet që i janë dhënë të gjithë zonës, për t’u bërë edhe kjo një zonë si të gjithë zonat e tjera të Tiranës, jo duke i ndarë ata në qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë. Në këto 2 vite Tiranën e kemi kthyer në punë, në këto 2 vite Tirana është cep më cep kantier ndërtimi, për t’ua kthyer banorëve”, tha Gjylameti.

Zona ku ka nisur investimi kufizohet nga rrugët “Myslym Keta”, “Rexhep Tarja” dhe “Zef Serembe”. Për 25 vjet nuk pa pasur një rrjet kanalizimesh të mirëfilltë, por ka funksionuar me tubacione të veçuara, që lidheshin me rrjetin e vjetër të një zone aty pranë. Në këtë territor, UKT Tiranë ka ndërmarrë edhe një investim tjetër për të ndërtuar një linjë të re kanalizimi për të pasur një shkarkim të plotë të ujërave dhe të shmangë problemet e mbartura ndër vite.

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”216″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]