Bashkia e Tiranës vlerësohet me çmimin “Shërbimi Publik i Vitit”

Bashkia e Tiranës vlerësohet me çmimin “Shërbimi Publik i Vitit”

13:45 01/05/2019

Aplikacioni “Tirana Ime”, një mjet i dobishëm në duart e qytetarëve për të raportuar çdo problematikë që hasin në kryeqytet, mori dje çmimin “Shërbimi Publik i Vitit” nga Albanian ICT Awards, platforma që vlerëson risitë teknologjike në Shqipëri. “Tirana Ime” është një prodhim i Vodafone Albania dhe Bashkisë së Tiranës, në të cilën veç opsioneve për raportimin e problemeve dhe monitorimin e trafikut në kohë reale, është shtuar edhe opsioni i monitorimit online i ndotjes së ajrit në 4 pika të ndryshme të kryeqytetit.

Në shpërndarjen e çmimeve në Albanian ICT Awards, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi organizatorët për çmimin e dhënë për aplikacionin “Tirana Ime” dhe nënvizoi nevojën që kanë vende si Shqipëria për t’u përfshirë në revolucionin digjital që po përjeton sot bota. Ai solli në vëmendje suksesin e aplikacionit “Tirana Ime”, përmes të cilit qytetarët mund të marrin informacion në kohë reale dhe të ndikojnë në vendimmarrje.

“Jam i bindur se teknologjia na ka bërë pak më të mirë, jo vetëm si njerëz, por së pari vendimmarrës më të mirë. Shtesa e fundit që i kemi bërë aplikacionit ‘Tirana Ime’, na tregon në kohë reale cilësinë e ajrit në Tiranë. Nëse nuk emancipohemi dhe nuk e marrim dijen në kohë reale, jo si monopol i kryetarit të Bashkisë, por secili tek xhepi i vet, atëherë nuk i kuptojmë shumë nga gjërat për të cilat po flasim”,

u shpreh kryebashkiaku.

Ky aplikacion ka përmirësuar edhe raportimin e shqetësimeve të qytetarëve dhe ka ndihmuar në uljen e kostove të bashkisë. “

Krejt papritur teknologjia na kurseu edhe para. Qindra rroga që paguheshin për inspektorët që nuk bënin asnjë gjë të dobishme, i kursyem dhe sot kemi 20 mijë përdorues aktivë të aplikacionit, të cilët raportojnë çdo problem në mënyrë të vazhdueshme

”, tha Veliaj, duke shtuar se shumë prej investitorëve tradicionalë po i kthejnë sytë nga teknologjia.

“Besoj se i kemi përbërësit për të parë kush janë talentet në këtë fushë dhe në vend të një shoqërie që heroizon dhe mitizon të fortin me makinën mbi trotuar, lind nevoja që të gjithë si shoqëri të çohemi dhe të duartrokasim djemtë dhe vajzat e talentuar, e t’u themi se jemi shumë krenarë për ju”

, theksoi Veliaj.

Ai deklaroi se Piramida do të rijetëzohet pikërisht për këtë arsye, për t’u kthyer në qendër të teknologjisë e inovacionit për të rinjtë e Tiranës, duke vendosur të shkuarën në funksion të së ardhmes. “

Jam sot shumë krenar që Piramidën, ndërtesën kryesore të qytetit, ajo që quhet një nga pronat më të rëndësishme publike shqiptare, do e kthejmë në një platformë për këto dije”,

tha Veliaj.

I konsideruar gjerësisht si “Oscar-i” i teknologjisë në Shqipëri, Albanian ICT Awards vlerëson dhe shpërblen çdo vit profesionistë, udhëheqës biznesesh, inovatorë, akademikë dhe të rinj të cilët kanë lënë gjurmë teknologjike shqiptare me punën e tyre në komunitetet ku jetojnë. Albanian ICT Awards VII u përfaqësua nga 7 kategori vlerësimi:  ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit,  ICT Ylli në Ngritje, Gruaja ne ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit, si dhe Siguria Kibernetike./tvklan.al

 

 

LAJMET
Të ngjashme
UKT