Besmir Lika nga Durrësi, i është drejtuar emisionit “Stop” pasi shtëpia e tij, që ndodhet në katin e tretë të një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit, rezulton e banueshme. Për këtë shtëpi, ai ka marrë një kredi që në vitin 2012, të cilën vazhdon të shlyejë. Akt-konstatimi i ekspertëve, e nxorri dëmtimin e pallatit DS3, pra dëmtim i mesëm, por i pabanueshëm. Besmiri ka dorëzuar të gjitha dokumentet, por ende bonusin e qerasë nuk e ka marrë.

Në Bashkinë e Durrësit i kanë thënë, që shtëpia e tij është e banueshme, pasi kështu rezulton në sistem. Shumica e komshinjve kanë përfituar bonus qiraje dhe po marrin edhe këstin e dytë, ndërsa Besmiri nuk ka përfituar.

“Jam një banor i Durrësit dhe jetoj këtu që prej vitit 2012. Në vitin 2013 jam pajisur me Hipotekë. Kam marrë një kredi për këtë shtëpi. Ndodhi tërmeti dhe ne kemi marrë një akt-ekspertimi. Më datë 15 Janar u bë konstatimi dytë dhe figuron dëmtimi DS3 (i mesëm). I kam dërguar të gjithë dokumentet dhe bëmë kërkesat tek komuna. Bashkia akoma në sistem figuron një dëmtim i lehtë. Unë isha sot pasi ndodhi epidemia dhe me anë të policit bashkiak më thanë që dëmtimi është i banueshëm dhe nuk përfitoj bonusin e qirasë. Disa komshinj që kam kontakte kanë marrë bonus qiraje. Unë nuk kam marrë asnjë këst. Ndërkohë jam me qira dhe jam edhe me kredinë. Kërkoj të drejtën time që të figuroj si të gjithë banorët e tjerë. Edhe bonusin pse mos ta marr dhe të figuroj i dëmtuar kaq sa jam i dëmtuar”. 

Emisioni “Stop” iu drejtua njësisë administrative, për t’u interesuar, nëse ka ndonjë problem në dosjen e tij, por aty thanë se dosja është dërguar në bashki.

Punonjësi: Dosja ka shkuar në Bashki.

Gazetarja: Po këtu nuk ruani asgjë?

Punonjësi: S’kemi…Të gjitha dosjet janë vulos, janë..Po dhe dosja e tij është qep siç… domethënë me certifikatë familjare, me certifikatë pronësie, me fotokopje të kartës së identitetit.

Gazetarja: Unë doja të dija, sesi e keni ju akt-konstatimin, këtu!

Punonjësi: Një akt-konstatim del.

Gazetarja: Vetëm ky është?

Punonjësi: Ky është për gjithë pallatin. Këtë akt-konstatim ka dhe komshiu vet.

Nga ana tjetër në bashki thonë, se është bërë një ngatërresë, për sa i përket adresës. Pas ndërhyrjes së “Stop”, adresa u rregullua dhe Besmiri do të jetë përfitues i dy kësteve të bonusit të qirasë./tvklan.al