Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur sonte në Krujë. Një pallat që ka pësuar disa dëmtime nga tërmeti i 26 Nëntorit, është shpallur i pabanueshëm nga Bashkia e Krujës. Për pasojë, të gjithë banorët e këtij objekti kanë dalë nga apartamentet e tyre.

Investitori i këtij pallati, z.Muharrem Hocja, i është drejtuar emisionit “Stop” dhe tregon se ka një raport të hartuar nga një firmë private, që e nxjerr pallatin pa probleme në strukturë, por ka vetëm dëme në muraturë.

Muharrem Hocja: Bashkia e Krujës dhe Policia e Shtetit kanë vepruar te objekti në mënyrë selektive. Unë iniciativën vetë, shkova tek Instituti dhe pyeta. Janë bërë provat nga studio. Travetat janë të betonuara. Muri që bashkohen dy objekte nuk e ka plasje të sotme, është vjeçare, ka 5-6 vjet. Sot tërmeti e bëri më të plasaritur dhe për këtë plasje murature Bashkia e Krujës ka bërë terror në popull dhe ata persona që kanë dalë janë të gjithë borxhli. Në pallatin 9-katësh, 4 kate janë të miat dhe 5 kate janë të banorëve. Te banorët unë kam 4 apartamente të pashitura, i kam me qira. Në total janë 30 apartamente, të gjithë të banueshme. Jemi në katin e 8-të, nga ana perëndimore ka vetëm një plasaritje.

Grupi i xhirimit i “Stop” kërkoi një akt-konstatimi të dytë dhe Bashkia Krujë mblodhi disa inxhinierë, të cilët thanë se plasaritjet janë problematike, ndërsa për themelet dhe strukturën nuk mund ta vlerësojnë. Pra, situata nuk mori sërish zgjidhje.

Më pas, gazetarja e “Stop” iu drejtua për ndihmë Institutit të Ndërtimit për të inspektuar këtë pallat. Vetë drejtori i këtij instituti, z.Agron Hysenlliu shkoi në terren për të parë nga afër objektin në Krujë. Ai thotë se struktura e pallatit është e qëndrueshme dhe nuk ka pësuar dëmtime. Probleme kanë pësuar vetëm muret, të cilat kanë nevojë për riparime urgjente. Pasi të rregullohen dëmtimet në muraturë, atëherë banorët mund të futen brenda, pasi struktura është e qëndrushme dhe s’ka asnjë dëm.

Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Ne kemi bërë dhe një akt-konstatimi më përpara që në tërmetin e datës 21 Shtator dhe ky objekt në strukturë nuk ka pasur dëmtime. Ka pasur disa dëmtime të një fugature që lidh dy objektet dhe problematika ka qenë që Bashkia e Krujës na ka thirrur në atë kohë, dhe ne kemi hyrë, kemi parë dhe nuk ka pasur probleme të strukturës. Ka pasur problem vetëm në rifiniturë, disa plasaritje të vogla. Me tërmetin e 26 Nëntorit, këto plasaritje janë shtuar dhe problemi përsa i përket objektit ka plasaritje në muraturë, duhen riparuar dhe fugatura duhet parë përsëri se është po i njëjti trajtim që kemi bërë dhe në datën 21 Shtator. Ky objekt nuk ka probleme nga tërmeti në strukturë. Sa konstatojmë neve, strukturat i ka të rregullta.

Zotëria ka bërë edhe disa teste nëpërmjet firmës “Altea” dhe testet m’i ka sjellë në zyrë dhe i kemi parë. Nga interpretimi i atyre testeve tregojnë që materialet e ndërtimit që janë përdorur në këtë objekt, janë të mira. Ky objekt nuk ka problematika në strukturë. Ka problematika në rifiniturë dhe duhet të fillojë menjëherë riparimin e tyre. Ne e klasifikojmë me dëmtime të mesme, është DS3, dhe duhet të fillojë menjëherë që të bëhet i banueshëm në cilësi, pasi i banueshëm mund të jetë edhe sot duke pasur parasysh atë pjesën e fugës që duhet të trajtohet me urgjencë.  /tvklan.al