Anulohet koncesioni për Teatrin Kombëtar



Anulohet koncesioni për Teatrin Kombëtar

15:09 26/02/2020

Bashkia Tiranë merr përsipër ndërtimin

Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si një investim publik. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën të shkëpusin lidhjet me kompaninë private që më herët ishte ofruar për ndërtimin e një godine të re sipas modelit të Partneritet Publik-Privat. Arsyeja, sipas autoriteteve, është sepse projekti i firmës private nuk mundësonte ndërtimin e godinës në kohë të shpejtë dhe me një infrastrukturë moderne.

Menjëherë pas njoftimit zyrtar, kryebashkiaku Erion Veliaj shpjegoi me një mesazh në Twitter përse u mor ky vendim.

“Komuniteti i artistëve jo-militantë kishte më shumë kërkesa teknike dhe kërkonte kalendar më të shpejtë punimesh se ç’ishte në gjendje të ofronte privati”.

Bashkia shpjegoi se vendimi u mor nga Komisioni i Vlerësimit dhe i Negociimit, në përbërje të të cilit janë edhe artistë.

Pas vendimit nga ky komision, Bashkia e Tiranës u zotua se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë sa më të shkurtër dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike.

Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, thuhet në njoftim, do të nisë brenda vitit. Projekti për një teatër të ri modern ishte një nismë që provokoi një debat të gjerë, në njërën anë për modelin që u zgjodh për bashkëpunimin me kompaninë private, e cila në këmbim të ndërtimit të teatrit, do të lejohej të ndërtonte disa objekte, dhe në anën tjetër për shembjen e godinës ekzistuese. 

Me këtë vendim, projekti i teatrit ndahet nga ai i zhvillimit të zonës rreth tij.

Por aktorët që protestojnë kundër ndërtimit të teatrit të ri janë shprehur edhe kundër këtij projekti, pasi insistojnë në rikonstruksionin e godinës ekzistuese. Ndërsa, Bashkia argumenton se ekspertët kanë arritur në përfundimin se teatri nuk mund të rikonstruktohet dhe se ai do të prishet për t’i lënë vendin një ndërtese të re me infrastrukturë moderne.

Tv Klan







Të ngjashme