Lajme Arkiva – TV Klan 2001

“Bashkimi për fitore”, ky është emri i koalicionit opozitar, të kryesuar nga Partia Demokratike.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Jemi sot këtu para jush, për të shpallur se bashkimi i forcave demokratike të Shqipërisë, që sot e tutje do të jetë bashkimi për fitore. Ne zgjodhëm këtë emërtim, sepse do të ishte e vështirë të zgjidhje një emërtim tjetër. Ne jemi të bashkuar sot, si asnjëherë tjetër në tërë historinë tonë”.

“Bashkimi për fitore”, ka shpallur dhe strategjinë elektorale për zgjedhjet e 24 Qershorit.

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Angazhohemi për një proces të lirë, të ndershëm zgjedhor, për një frymë të vërtetë qytetare në fushatën elektorale. Ne deklarojmë me përgjegjësi të plotë se, në tërë fushatën do të dominojë fryma qytetare, do të dominojë alternativa dhe zgjidhja”.

Strategjia që synon ardhjen e këtij koalicioni në pushtet, do të zëvendësojë sipas Berishës, pushtetin e mafies me sundimin e ligjit. Ne vijmë në pushtet, tha ai, për të këputur lakun e mjerimit. Kryetari i PD ka paraqitur edhe sloganin “Për një fillim të ri”. Fushata e “Bashkimit për fitore” do të zhvillohet derë më derë, në salla, por edhe në sheshe e stadiume./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego