Sezoni i ri veror do të sjellë një ndryshim rrënjësor në menaxhimin e plazheve, pasi rëndësi do t’i jepet interesit të qytetarit dhe plazhet publike që do të menaxhohen plotësisht nga pushteti vendor do të sjellin të njëjtin standard si edhe privati. Modeli i parë dhe më i plotë që do të zbatohet për këtë do të jetë ai i hartuar nga Bashkia Lezhë.

“Shezlonat ne do i marren ose me qira ose do i blejmë. Në zonën më të shtrenjtë ne e kemi 5 mijë Lekë të vjetra, në qendër do e bëjmë diku tek 4 ndërsa në Tale 3”, shprehet Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

I pranishëm në takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi me operatorët turistik në Vlorë, krybashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo tha se gjatë vijës bregdetare të kësaj bashkie ky projekt fillimisht do të jetë pilot.

“Ne do ta bëjmë sivjet duke e bërë vetëm 500 çadra si viti i parë për ta parë sa e suksesshme do të jetë”, tha Kryetar i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se vendimi i ri i qeverisë për menaxhimin e plazheve rrit përgjegjësin e autoriteteve publike.

“973 stacione plazhi publike si asnjëherë më parë”, tha Ministrja Kumbaro.

Për kryeministrin Edi Rama, projekti i hartuar nga Bashkia Lezhë duke të jetë model edhe për të gjitha bashkitë e tjera.

“Nën udhëheqjen e Kryetarit të Bashkisë së Lezhës që ka krijuar në bregdetin e Lezhës një model shumë të suksesshëm për hir të së vërtetës, edhe për shkak të background-it që ka si polic, që nuk rri dot a kontrolluar çdo mizë që fluturon prandaj dhe na ka shërbyer ekspertiza. Se ne të tjerët nuk e kemi pasur këtë karrierë”, theksoi Rama.

Nuk i kurseu kritikat për operatorët turistik dhe sidomos ata që veprojnë në fushën e hotelerisë.

“Ka një hile të madhe që e bëni të tërë ju. Një hile me deklarimin e netëve të fjetjes”, shprehet Kryeministri.

Për të shmangur këtë problematikë Rama tha se janë marrë dy masa.

“E para për këtë vit do ju japim mundësinë që juve të bëni një para deklarim, që do të thotë që për periudhë 1 Maj – 30 Shtator, nëse nuk doni as kontrolle, asnjë problem fare dhe të fokusoheni vetëm te klientët jo te inspektorët, një nivel shfrytëzimi 65%, nga 1 Tetori në 30 Prill një nivel 20%. E dyta përgatituni sepse në 2026 nuk do keni nga të lëvizni më sepse do fusim platformën digjitale e-visitors”, tha Kryeministri.

Një tjetër çështje e cila kërkon një zgjidhje sipas kreut të qeverisë është edhe ajo e parkimeve gjatë vijës bregdetare.

“Do të përdorim arkitekt për të ndërtuar parkime nën dhe mbi tokë që të jenë atraktive nga ana e urbanistikës. Dyndja është shumë e madhe, ne mund të shkojmë 14 milionë këtë vit”, thekson Kryeministri.

Duke u ndalur tek Vlora, ai tha se synimi është të ndërtohet lungomarrja më e gjatë në Europë, ndërsa theksoi se brenda Majit përfundon pista e aeroportit.

Sa i përket projektit të Sazanit dhe Zvërnecit, Rama tha se është në proces.

“Nuk keni parë gjë as ju as unë për Vlorën”, deklaroi Rama.

Tv Klan