Ndonëse qytetarët e Tiranës i drejtohen Bashkisë për të adresuar shqetësimin nga zhurmat apo të tjera ndotje që krijohen nga bizneset e vogla, pushteti vendor vijon të mos këtë asnjë fuqi vepruese për këtë problematikë.

“Ne nuk kemi as kompetence për të matur zhurmën që të themi ti do të gjobitesh për këtë punë. S’kemi as kompetencën, as lejen, s’kemi të drejtën ligjore ta bëjmë këtë gjë. E njëjta gjë me bizneset që shkaktojnë ndotje me tym”

, thotë zv/kryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku.

Bashkia e Tiranës ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit që lejet mjedisore të tipit C dhe inspektimet për të tilla biznese, që deri më tani ndiqen nga Inspektorati i Mjedisit, të kryhen nga institucionet e pushtetit vendor.

“Ne kemi nisur një diskutim me Ministrinë që këto lloj lejesh edhe pjesa e dhënies së lejeve mjedisore, por edhe pjesa e kontrollit të tyre potencialisht t’i jepet një pushtet më i madh pushtetit vendor në mënyrë që kjo pjesa e jetës në komunitet të funksionojë disi më mirë”.

Po ku ka mbetur diskutimi mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit?

“Teksa Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, mund ta bëjnë, kjo bëhet më e vështirë në zbatim për Bashki të vogla, që jo detyrimisht i kanë kompetencat për ta ndjekur në zbatim një kompetencë të tillë. Kjo është balanca që po kërkojmë të gjejmë me qeverinë”.

Aktualisht lejet mjedisore te tipit C lëshohen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për biznese të vogla që ndodhen kryesisht brenda zonave urbane.

Tv Klan