Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një takim përmbyllës të fushatës elektorale në Lezhë shprehet se në takimin e tij në Shkodër shihej qartë fitorja e PD-së.

Berisha ju jep fjalën lezhjanëve se pas 100 ditësh, pasi të marrin pushtetin opozita, Lezha dhe Shqipëria do të jetë krejt ndryshe.

“Po vij nga Shkodra, në çdo rrugë dhe rrugicë, në çdo qytetar dhe qytetare, shihej qartë fitorja. E tërë Shqipëria është në këmbë, e tërë Shqipëria pret 11 Majin si orën e votës së shqiptarëve për shpresën, besimin, të ardhmen e Lezhës dhe Shqipërisë. Një nderim të madh për ju që e shndërruat këtë pranverë në një dimër të thellë për Edi Ramën. Që ia shuat shpresat dhe e bëtë të presë me tmerr dhe panik 11 Majin si ditën e ndëshkimit të tij shembullor, të merituar. Miq, Lezha më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon besën tonë, virtytin e të gjitha virtyteve.

Simbolizon bashkimin. Ndaj dhe këtu nga Lezha u bëj thirrje shqiptarëve të të gjitha bindjeve politike, le të bashkohemi me 11 Maj për të transformuar Shqipërinë në 11 ditë. Dhe unë u jap fjalën ju se pas 100 ditësh, kjo Lezhë, kjo Shqipëri do jetë tjetër. Në qoftë se dal sot para jush, në qoftë se vij sot për të mbyllur fushatën elektorale me ju, nuk vij për karrigen time. Jo, vij për një mision. Të transformojmë së bashku Lezhën dhe Shqipërinë. Vij për një mision që në 100 ditë të përzëmë nga vatrat tona mjerimin e skajshëm që e mbolli Edi Rama me grupin e hajnave të tij. Në 100 ditë, çdo pensionist që merr sot nën 172 mijë lekë, dhe të tillë sot janë 560 mijë burra dhe gra, do marrë secili jo më pak se 200 euro. Në 100 ditë, çdo qytetar nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro. Në çdo pensionist dhe rrogëulët do ketë kartën e konsumatorit. Do blejë të gjithë gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët”, thotë Berisha.

Berisha fton qytetarët që t’i bashkohen në një besëlidhje për të votuar mirëqenien tuaj.

“Prandaj në 100 ditë ne bëjmë ndryshimin e madh. Bashkohuni në një besëlidhje për të votuar mirëqenien tuaj. Garantoj të gjithë fermerët se prodhimet e tyre do mbrohen në çdo sezon. Garantoj eksportuesit dhe prodhuesit se do mbështeten fuqimisht nga qeveria. Mijëra ndërmarrje dhe ferma kanë falimentuar. Eksporti është përtokë për shkak të rënies së euros”, shprehet Berisha.

/tvklan.al