Flamurtari në basketboll për femra është kampion i Shqipërisë. Ekipi vlonjat ka mposhtur edhe në ndeshjen e tretë finale Tiranën duke u kurorëzuar kështu me titullin kampion që është i 26-ti në histori.

Flamurtari pas Ligës Unike dhe Superkupës merr trofeun e tretë për këtë sezon, por mbi të gjitha duke treguar edhe në kampionat një paraqitje si skuadra më e mirë.

Vlonjatët kanë fituar në ndeshjen e tretë 63-53 Tiranën në një përballje që e kanë dominuar nga fillimi në fund, ndërsa edhe me mbështetjen e publikut vlonjat, kanë marrë fitoren që duhej për të kurorëzuar titullin kampion.

Dhe pas ndeshjes ka festë në Pallatin e Sportit me trofeun që i është dorëzuar kapitenes Memushi, nga Presidenti i FSHB, Avni Ponari. Ndërsa lojtarja më e mirë është shpallur Ramos e Flamurtarit.

“Gara ishte mjaft e bukur, ajo që u arrit është që Flamurtari vërtetë e meritoi, pasi fitoi 3-0 ndaj Tiranës”, tha Avni Ponari, Presidenti i FSHB.

Tek vlonjatët ka emocion të percjellë edhe nga shefja e klubit shumësportësh Elona Hasanaj, trajneri Agim Dalipi e kapitenja Tea Memushi.

“Kjo ishte ajo që ne synomin dhe falë, besoj, seriozitetit të punës, miqësisë në fakt, sepse dua t’i falenderoj. Ky ekip ka qenë një ekip i veçantë, të paktën në këndvështrimin tim, për punën, përkushtimin që kanë treguar në fushë, miqësinë që kanë treguar jashtë fushe dhe të gjitha këto bashkë u treguan në fushë me një seri 3-0”, tha Memushi.

Mbyllet kështu ky sezon në basketboll për femra që kurorëzon Flamurtarin si kampion të vendit për herë të 26-të në histori.

Klan News