“Unë mendoj se e kam arritur ditën që të shoh se shqiptarët nuk e duan bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. E kam fjalën edhe për shqiptarët në Kosovë edhe për ata në Shqipëri”. Kështu u shpreh në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan analisti Baton Haxhiu. Sipas tij, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë kërkon seriozitet institucional dhe nuk mund të bëhet me deklarata. I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të bënte referendum lidhur me këtë çështje, analisti u përgjigj duke thënë, po.

Arian Çani: A u rrëzua në Berlin opsioni i ndryshimit të kufijve?

Baton Haxhiu: Dëshirë do të kisha, por jo nuk është rrëzuar.

Arian Çani: Curi?

Arjan Curi: Është rrëzuar totalisht, nuk hapet më ai kapitull.

Arian Çani: Kë po provokon Hashim Thaçi me Shqipërinë e Madhe. A është provokim?

Baton Haxhiu: Jo nuk është provokim. Nuk e ka bërë në mënyrën e duhur. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë kërkon seriozitet institucional. Me deklarata nuk bëhet. Do që të dy qeveritë të shkojnë në parlament dhe të propozojnë gjëra konkrete.

Arian Çani: Po përse nuk e bëjnë sipas teje, nuk kanë fuqi politike?

Baton Haxhiu: Unë mendoj se e kam arritur ditën që të shoh se shqiptarët nuk e duan bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. E kam fjalën edhe për shqiptarët në Kosovë edhe për ata në Shqipëri. Mentaliteti i disa udhëheqësve në Kosovë është gjysmë feudal. E di që Kosova ka pasur sakrificë, por kur kjo sakrificë ka nisur është bërë me idenë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Mendoj se kam ardhur në ditën që të shoh që elitat nuk e duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe ky është lajm i keq.

Arian Çani: Si ka mundësi që nuk del dikush që të thotë ta hedhim në referendum, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë?

Baton Haxhiu: Qeveritë duhet ta udhëheqin idenë për ta dërguar në referendum. Por a e di përse nuk e bëjnë? Do ishte zhgënjim i madh nëse dy qytetarë të Kosovës do të votonin, jo. Do ishte zhgënjim i madh dhe do t’i plotësohej dëshira feudalëve politikë që të ruajnë veten brenda feudeve të tyre. Kjo e vërtetë është e dhimbshme.

Arian Çani: A je ti i gatshëm për referendum.

Baton Haxhiu: Po, do ta bëja.   /tvklan.al