Pas shumë javësh në ndjekje, Bayern Munich ka mposhtur rivalin direkt, Bayer Leverkusen me shifrat 2-1 për të bërë rokadë në krye të Bundesligës gjermane. Takimi nisi keq për bavarezët të cilët e panë vetën në disavantazh të një goli pas çerekore lojë.

Ishte Shick ai që kaloi në avantazh Leverkusen dhe u duk se takimi foli totalisht për aspirinat. Gjithsesi, bavarezët reaguan me anë të futbollistit më të mirë të vitit që po përgatitemi të lënë pas, Robert Lewandowski. Polaku shënoi fillimisht në fundin e pjesës së parë për golin e barazimit, ndërkohë që në frymën e fundit atë të fitores me aromë kreu për skuadrën e Hansi Flick.

Juventus ka marrë një fitore me poker golash 4-0 në transfertën e Tardinit përballë Parmës. Bardhezinjtë u falën edhe një dopiete të yllit të saj, Cristiano Ronaldo. Fillimisht ishte Kulusevski ai që kaloi në avantazh torinezët, ndërkohë që një kërcim i fuqishëm i Ronaldos vulosi fatet e pjesës së parë në 2-0. Me fillimin e së dytës, portugezi gjeti sërish rrjetën, ndërsa llogaritë i mbylli Morata. Tashmë Juventus gjendet në vendin e 3-të në kuotën e 27 pikëve.

Fitorja më e thellë e së shtunës u arrit nga Liverpool, e cila mposhti me furtunë golash, 7-0 Crystal Palace. Goli në sekondat e fundit përballë Tottenham frymëzuan djemtë e drejtuar nga Jurgen Kloop, të cilët shpartalluan kundërshtarin.

Firminho dhe Salah shkëlqyen me dopietë golash, teksa pjesë e goleadës u bënë edhe Minamino, Mane dhe Henderson. Liverpool merr kreun me 31 pikë, duke krijuar distancë me ndjekësit.

Manchester City i mjaftoi një gol i Stërling për të marrë fitoren minimale ndaj Southampton. Vijon ecuria negative e Arsenalit, që e dërgon në 7 numrin e ndeshjeve pa fituar në kampionat pas humbjes 2-1 përballë Everton. Në këto javë, topcinjtë kanë marrë vetëm 2 pikë.

Klan Plus