Lojtarët kërkojnë ndryshime, Presidenti: Kemi marre vendime

Është e vështirë të shpjegohet se çfarë ndodhi saktësisht në ndeshjen Barcelona-Bayern. Është e vështirë të bësh analizën e ndeshjes pasi përballje mes dy skuadrave nuk pati. Mjafton të thuash që kjo është humbja më e thellë e Barcelonës në Europë. Rezultati 8-2 nuk tregon gjithçka, pasi gjermanët mund të kishin fituar edhe më thellë.

Është loja e Barcelonës, është qasja e taktikës, është mentaliteti, janë lojtarët. Të gjithë këta faktorë munguan në një përballje direkte me një rival të të njëjtit nivel, me të njëjtat ambicie.

“Poshtëruese, e turpshme, skandaloze”.

Me këto shprehje janë hapur gazetat më të mëdha sportive në Europë. Në artikujt e tyre lexohet një mesazh i vetëm: Epoka e Barcelonës ka përfunduar, kaq ishte, u varros.

E dinë këtë edhe lojtarët, mori guximin ta thoshte Gerard Pique, i vetmi nga futbollistët që foli për mediat

“Klubi ka nevojë për ndryshim. Nuk po drejtoj gishtin as tek trajneri as tek lojtarët. Ekipi dhe klubi ka nevojë për ndryshime në çdo aspekt. Nuk është as hera e parë, as e dyta dhe as e treta. Duhet të vijë gjak i ri. Jam gati të iki unë i pari sepse besoj jemi zhytur dhe kemi prekur fundin”, tha ai.

Por në të vërtetë çfarë është më e mira për Barcelonën? Nga Spanja vijnë lajmë se lojtarët kanë votuar për largimin e trajnerit Setien dhe në balotazh janë Xavi Hernandez dhe Mauricio Pochettino. Presidenti Bartomeu tha se duhet të jemi të ftohtë kur të marrim vendime, megjithëse diçka është vendosur.

Tv Klan