Reportazhi i CNN: Në vend të qelive, të burgosurit mbaheshin në kafaze

Në bazën amerikane të Bagramit në Afganistan mund të jetë përsëritur historia e burgut famëkeq të Abu Graibit në Irak, ku ushtarët amerikanë torturonin deri për vdekje të burgosurit.

Talebanët i hapën dyert gazetarit të CNN, Nik Robertson, i cili pa nga afër ambientet e brendshme të ish-bazës më të madhe amerikane në Afganistan, e braktisur pas tërheqjes së plotë të ushtrisë amerikane në Gusht.

Vëmendje tërhoqi burgu brenda bazës, ku bien në sy këta kafazë. Shenjat e mbetura tregojnë se të burgosurit izoloheshin dhe trajtoheshin në mënyrë ç’njerëzore për vite të tëra, prej nga ndoshta shumë prej tyre mund të mos kenë dalë gjallë. 

Në mungesë të kushteve minimale, të burgosurit varnin veshjet nëpër qese e në të gjitha hapësirat e mundshme që gjenin nëpër kafazë. Për shtretër as që bëhej fjalë, të gjithë flinin në grupe nëpër dyshekë të shtruar në dysheme.

Ushqimi merrej vetëm përmes këtyre hapësirave që tregon gazetari, ndërsa kishte edhe nga ata që mbanin libra.

Dyshime ka se ndaj tyre ushtrohej edhe dhunë ç’njerëzore, ndaj Departamenti Amerikan i Mbrojtjes pritet të nisë së shpejti procedurat hetimore.

Tv Klan