“Duhen politika fiskale lehtësuese, por kujdes me borxhin”

Bizneset në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë rezultojnë të jenë më pesimistët sa i përket shpresave që kanë për t’u rimëkëmbur pas situatës së krijuar nga Covid-19.

Një studim i Bankës Botërore mbi mënyrën se si pandemia do të ndikojë sektorët ekonomikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, më pak se gjysma e bizneseve mendojnë se kriza e pandemisë do të zhduket brenda harkut kohor 3 deri në 5 muaj.

“Rënia e kërkesave për blerje dhe shërbime po bën që firmat në Shqipëri të përjetojnë sfida. 25% e kompanive janë përgjigjur se kanë rënie të numrit të klientëve. Ky shok është më shumë i dukshëm në sektorin e shërbimeve, ndërtimit, dhe në manifakturë dhe agrikulturë.”

Edhe sektori bankar do të ndiejë presione nga kriza e Covid-19, thotë Banka Botërore, si në rënien e fitimeve edhe në rritje të kredive me probleme. Megjithatë bizneset shqiptare e mendojnë marrjen e kredisë si alternativën e fundit, sqaron studimi.

“Pavarësisht problemeve të mëdha me likuiditetin, 69% e kompanive planifikojnë që të përdorin të ardhurat e tyre, ose të ulin kostot në mënyrë që të mbijetojnë dhe vetëm 20% e shohin marrjen e huasë bankare si opsion.”

Në kushte të tilla Banka Botërore shprehet se duhet të ketë një politikë lehtësuese me taksa nga ana e ekzekutivit, por ajo duhet të jetë e kujdesshme.

“Si parim, në një krizë, politika fiskale duhet të përgjigjet në mënyrë efiçente, fleksible dhe të qëndrueshme. Shpejtësia e saj është e domosdoshme që të shpëtojë kompanitë përpara se ato të mbeten pa likuiditet. Duhet të jetë koherente dhe e kujdesshme, në mënyrë që të targetojë sektorët e prekur.”

Banka Botërore thotë se do të ketë një rritje të borxhit publik të qeverive në të gjithë Ballkanin, ndërsa Shqipëria Mali i Zi dhe Serbia do të kenë defiçitin buxhetor më të madh, i cili llogaritet të shkojë deri në 7% të prodhimit kombëtar.

Tv Klan