Procesi i rindërtimit do ta ndihmojë

Pasojat e tërmetit do të kenë ndikim edhe në ekonominë e vendit në aspektin afatshkurtër. Ky është vlerësimi i Drejtorit ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore, Patrizio Pagano, siç e bëri të ditur në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Zakonisht në situata të tilla, Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin kur ndodh ngjarja, do të jetë dramatikisht e ulët për arsye të uljes së prodhimit. Pra për vitin 2019 ekonomia do të ketë pasoja nga kjo ngjarje dhe ka të ngjarë që kjo të përçohet edhe në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”.

Megjithatë, Pagano garanton se efekti nuk do të jetë afatgjatë dhe procesi i rindërtimit është një mundësi për një ekonomi më të qëndrueshme në të ardhmen.

“Në përgjithësi nuk do të parashikoja ndonjë efekt të madh pasi kjo nuk do të ndikojë ndoshta në tendencën që ka vendi. Unë e shoh këtë ngjarje edhe si një mundësi pasi me rindërtimin, ndërtesat e reja do të jenë më të qëndrueshme dhe do të ketë një ekonomi më të qëndrueshme në të ardhmen. Është e vështirë të thuash se kur do të ndodhë mëkëmbja, pasi nuk kemi akoma vlerësimin e dëmeve. Dhe Shqipëria nuk është i vetmi vend që vuan pasoja të tilla”.

Pagano thotë se Banka Botërore është gati të bëjë një livrim të shpejtë të dy huave që kapin një vlerë prej 100 milionë dollarësh dhe që do të përdoren sipas prioriteteve të qeverisë. 

Tv Klan