Pandemia do të çojë nivelin e varfërisë në 41.5%, tkurret dhe konsumi

Banka Botërore projekton një tkurrje të mëtejshme me 8.4% të ekonomisë shqiptare për këtë vit, nga -5% që parashikoi recesionin në raportin e Ekonomisë Globale në pranverë.

Në përditësimin e fundit, Banka shprehet se pandemia ka goditur të gjithë sektorët e ekonomisë dhe se rritja vitin e ardhshëm do të jetë e ngadaltë, me një normë 5%. Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria do të kenë rënien më të madhe ekonomike në rajon.

“Ndërmarrjet e vogla e të mesme zënë më shumë se 90% të bizneseve, klima e biznesit është e brishtë, aksesi në financim i kufizuar dhe integrimi në treg është i varfër. Në skenarin bazë, ekonomia në vitin 2021 do të jetë 10.7% më e vogël se projektimi që ne kemi bërë përpara nisjes së pandemisë së Covid-19.”

41.5% e popullsisë së vendit do të zhytet në varfëri, duke jetuar me më pak se 5.5 dollarë në ditë këtë vit. Sipas Bankës Botërore nga 2 milion e 845 shqiptarë, 1 milion e 181 mijë prej tyre do të jenë të varfër.

“Varfëria këtë vit pritet të rritet me 5 pikë përqindje.”

Banka parashikon se konsumi do të tkurret me 8%, ndërsa eksportet do të bien me një normë dyshifrore prej 37%, ndërsa përballë kësaj situate të ardhurat nga taksat do të ulen dhe borxhi do të arrijë në 81.4% në fund të vitit.

I gjithë rajoni i Europës dhe Azisë Qendrore do të tkurret me 4.4% këtë vit duke shënuar recesionin më të rëndë pas krizës financiare globale të vitit 2008. Banka Botërore kërkon që qeveritë të kthejnë sytë nga sistemi shëndetësor dhe arsimor.

Tv Klan