“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ekonomi të zezë sa dyfishi i BE-së”

Vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë dhe Shqipërinë, rezultojnë me nivelin më të lartë të ekonomisë informale në Europë. Sipas një studimi të publikuar nga Banka Botërore lidhur me ekonominë e zezë në rajonin e Ballkanit, rezulton se vendi ynë, Kosova, Bosnjë Hercegovina dhe Mali i Zi kanë një nivel informaliteti mes 30- 35% të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa Serbia rezulton me një peshë më të ulët të kësaj ekonomie mes 25 dhe 30%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut informaliteti varion mes 20 dhe 40%.

Banka Botërore thotë se këto nivele janë dy herë më shumë se mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

“Kërkimet e fundit sugjerojnë se aktiviteti i ekonomisë informale në rajon është rritur dhe përpara Covid-19. Kur pandemia kriza ekonomike goditi rajonin, bëri më vunerabël firmat dhe punëtorët që punonin në të zezë.”

Nëse në Serbi dhe Maqedoni informaliteti është më i përhapur në sektorin e bujqësisë, në Shqipëri Kosovë dhe Mal të Zi ai shihet në sektorin e tregtisë, shërbimeve dhe ndërtim, thotë Banka Botërore. Një shqetësim i kompanive që duan të punojnë në Shqipëri është niveli i lartë i mospagesës së taksave, sidomos sa i takon Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

“Në Shqipëri pesha e taksave në raport me prodhimin kombëtare është shumë poshtë mesatares rajonale pikërisht për shkak të ekonomisë informale. Evazioni me TVSH-në në Shqipëri vlerësohet mes 30-40% të potencialit që mund të vilet nga kjo taksë.”

Banka Botërore thotë se qeveritë kanë marrë angazhime për reduktimin e ekonomisë informale. Shqipëria ka në programin e reformave 2020-2022 luftën për mobilizimin e mbledhjes së të ardhurave dhe uljen e evazionit fiskal.

Tv Klan