Ministri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot në takim drejtorin e ri të Zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë Marco Mantovanelli, me të cilin bisedoi për kontributin e BB-së për Kosovën, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Gjatë takimit, Hoti e njohu Mantonavellin me të ardhurat në Buxhetin e Kosovës, ku sipas tij kanë shënuar një rritje të konsiderueshme dhe kjo ka ardhur si rezultat i luftës kundër informalitetit, ndryshimit të politikave fiskale, por edhe ndërgjegjësimit të bizneseve përsa i përket pagesës vullnetare të tatimeve.

Ai theksoi se kontributi dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore ka qenë shumë i mirë sidomos në projektet në të cilat ka kontribuar BB-ja, projekte të cilat kanë dhënë rezultatet e tyre në shoqërinë tonë. Ministri Hoti shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe BB-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit, citon ATA.

Drejtori i ri Zyrës së Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, duke falënderuar ministrin Hoti për pritjen, u shpreh se interesimi i Bankës Botërore është që të kontribuojë në uljen e papunësisë në Kosovë me projekte konkrete dhe për këtë nuk do të mungojë as mbështetja e Bankës Botërore dhe e imja personale për Kosovën./tvklan.al