“Zvogëlohet aktiviteti i bankave nga shtyrja e kësteve të kredisë”

Banka Botërore vlerëson se kriza e pandemisë së Covid-19 do të lerë pasoja të gjata për ekonominë, pasi pikësëpari po shkatërron vendet e punës, sidomos për punonjësit e kualifikuar. Në raportin “Diagnostikimi Sistematik i Vendeve”, grupi i Bankës Botërore thotë se kriza shëndetësore do të detyrojë shumë punonjës që të rrinë në shtëpi duke pakësuar të ardhurat e familjeve dhe mbyllje të bizneseve.

“Shumë familje do të përballen me vështirësi ekonomike, ndërsa vendet e punës do të shkatërrohen dhe disa të punësuar do të duhet të qëndrojnë në shtëpi për shkak të karantinës. Në masën që kriza do të detyrojë dhe bizneset e shëndetshme të mbyllen duke prishur zinxhirin e furnizimit dhe duke hequr nga puna punëtorët e kualifikuar, shoku do të lerë pasoja afatgjata”.

Kjo situatë do të vendosë në vështirësi edhe sistemin bankar, thotë Banka Botërore, megjithëse fillimi i krizës së pandemisë e gjeti sektorin të mirëkapitalizuar.

“Hyrja e krizës i gjeti bankat të mirëkapitalizuara dhe me likuiditet, por ato do të përballen me vështirësi për shkak të shtyrjes së kësteve të kredisë dhe perspektivat e tyre të biznesit zvogëlohen ndjeshëm”.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria pritet të jetë vendi i dytë më i goditur nga pandemia Covid-19, ku prodhimi kombëtar vendas do të ulet me minus 5% në skenarin bazë nëse masat bllokuese vazhdojnë deri në fund të Qershorit dhe me minus 6.9% në nëse kriza shëndetësore zgjat deri në Gusht.

Tv Klan