BB: Ngadalësohet rritja ekonomike e Shqipërisë

BB: Ngadalësohet rritja ekonomike e Shqipërisë

15:46 08/10/2019

“Ndikimi kryesor negativ nga energjia. Papunësia shënoi ulje”

“Rreziqet dhe pasiguritë janë shtuar për rajonin, ndërsa rritja ekonomike është ngadalësuar pavarësisht rënies së papunësisë”.

Me këto fjalë përfaqësuesja e Bankës Botërore vendosi të përcjellë mesazhin për qeveritë e gjashtë vendeve në Ballkanin Perëndimor, duke evidentuar disa rreziqe që po i shtohen ekonomive të rajonit, rënia e fuqisë eksportuese dhe investimeve të huaja, por dhe situata e dobët ekonomike me partnerët tregtarë.

Banka Botërore rishikoi me uljen rritjen ekonomike të rajonit, ku vendi ynë rezulton të ketë ritmin më të ngadaltë mes 6 ekonomive të shteteve përreth. Nga 3.8% që parashikohej nga ky institucion, korrigjimi për rritjen ekonomike të Shqipërisë u ul në 2.9%, larg pritshmërisë së qeverisë për një rritje në nivelin 4.3%.

Ndërmarrjet në sektorin e energjisë dhe ujit kërcënojnë herë pas here buxhetin e shtetit për shkak të performancës së tyre, vlerëson Banka Botërore.

Lidhur me të ardhurat në buxhet, Banka Botërore parashikon një rënie të tyre, çka sipas saj do të bëjë që defiçiti në buxhet të jetë 2.2% e prodhimit kombëtar në fund të vitit dhe jo 1.9% sa u miratua fillimisht në ligjin e buxhetit. Ndërsa, përsa i perket fiskalizimit si instrument për të ulur informalitetin, përfaqësuesit e Bankës Botërore thanë: “Zgjerimi i bazës së tatimpaguesve është gjëja e duhur për t’u bërë nëse duam të konsolidojmë financat publike”.

Pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike, Shqipëria shënoi ulje të papunësisë.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka krijuar deri në Qershor të 2019-s 150 mijë vende pune më shumë se një vit më parë, 43 mijë prej të cilave kanë qënë për të rinjtë dhe afro gjysma u krijuan në Shqipëri”.

Lidhur me projektet në partneritet publik-privat dhe letrës së kryetarit të Partisë Demokratike drejtuar bankave tregtare për mos t’i financuar ato, drejtuesit e këtij institucioni thanë se ky është një vendim që i takon bankave.

Tv Klan

Delta
LAJMET

Të ngjashme

AZHBR
UKT
UKT