Rritja e pasigurisë së bizneseve dhe presioni fiskal si pasojë e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm mund të jenë disa nga reziqet që venë në pikepyetje progresin në ekonomine shqiptare. Ky është shqetësimi kryesor në raportin më të fundit të Bankës Botërore. Aty thuhet se ekonomia shqiptare pritet të zgjerohet në tre vitet në vazhdim. Rritja parashikohet të arrijë në 3.2 për qind në vitin 2016 dhe 3.5 për qind në 2017 dhe 2018.

Sipas Bankes Botërore rimëkembja pritet të udhehiqet nga investimet private dhe rimëkembja e konsumit si pasojë e  përmiresimeve në tregun e punës dhe investimeve të projektit TAP.  Përmirësimi i klimës së biznesit dhe adresimi i çeshtjes së kredive me probleme gjithashtu sipas Bankës Boterore mund të forcojnë me tej investimet private dhe të rrisin konsumin.

Krijimi i vendeve të punës thotë raporti pritet të nxisë rritjen e standarteve të jetesës dhe të çojë në uljen graduale të varfërisë.

Pas një rënie të investimeve të huaja me afro  44% gjatë gjysmës së parë të vitit, Banka Botërore pret se, do të ketë një rimëkëmbje të pjesshme gjatë gjysmës së dytë.

Rritja ekonomike parashikohet të mbetet pozitive në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore Ndërkohë, në Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor, rritja parashikohet të bjerë nga 1,8 për qind për vitin 2016,në 1,4 për qind për vitin 2017, përpara sesa të ngrihet sërish në 1,7 për qind në vitin 2018.

Sipas Bankes Botërore  vota për Brexit-in dhe kriza e refugjatëve po vënë në provë bashkëpunimin europian, ndërkohë që gjysma lindore e rajonit ende po përpiqet të përshtatet me çmimet e ulura të naftës./TVKlan