Emigrimi në masë dhe ulja e lindshmërisë në vend do të kërcënojnë më tej dhe produktivitetin në punë në Shqipëri, çka do të vijë duke u përkeqësuar. Shqetësimi ngrihet nga Banka Botërore, e cila në një raport të publikuar për “Dinamikën e Punës në Shqipëri” analizon se niveli i produktivitetit të punës është më i ulët sesa në çdo vend tjetër të Europës Lindore.

Sipas përllogaritjeve të matura nëpërmjet Prodhimit të Brendshëm Bruto për punëtor, në Shqipëri, niveli i produktivitetit  ishte rreth 31,000 dollarë në vitin 2016, ndërsa në SHBA 60,000 dollarë për punëtor, në Lituani, 57,000 dollarë në Estoni dhe 48,000 dollarë në Rumani. Shqetësimi nuk ngrihet vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Në afat mesëm do të ketë një dobësim të më mëtejshëm të produktivitetit në punë në Shqipëri  kjo për dy shkaqe kryesore: ikjet e mëdha jashtë vendit dhe ulja e lindshmërisë.

Banka Botërore thotë se numri i emigrantëve shqiptarë u rrit më shumë se trefish gjatë dekadave të fundit dhe thuajse 40%  e fuqisë punëtore ka ikur jashtë.

Aktualisht popullsia e Shqipërisë është disi më e re se ajo e pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor, pasi mosha nën 30 vjeç përbën 41% të popullsisë së përgjithshme, krahasuar me 36% që e kanë vendet fqinje. Por problem qëndron në faktin se mosha mesatare e popullatës po rritet. Nga 1980  deri 2015, popullsia me moshë nën 30 vjeç ra.

Me probleme paraqitet edhe pjesëmarrja në punë. Sipas Bankës Botërore punët aktualisht nuk janë gjithëpërfshirëse; veçanërisht për gratë, të rinjtë, të varfrit dhe ata me pak arsim. Kjo kategori është më e përjashtuar nga vendet e punës.

Klan Plus