“Politikat mbështetëse të orientohen në uljen e varfërisë”

“Një rimëkëmbje e pasigurtë”, kështu e ka titulluar raportin e Rregullt Ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor Banka Botërore, e cila e sheh sfidën e rimëkëmbjes së 6 vendeve në këtë hartë se si do të përshtatet sjellja konsumatore dhe biznesi.

Një shqetësim të thellë për këtë, banka e lidh me perceptimin e lartë të korrupsionit që kanë ndërmarrjet në këto vende. 56% e firmave në Kosovë dhe 43% e bizneseve në Shqipëri shprehen se korrupsioni është një barrierë që pengon rritjen e tyre. Shqipëria rezulton e para në rajon, ku ndërmarrjet private pranojnë se është normale të paguajnë inspektorët tatimorë.

“35% e firmave në Shqipëri raportojnë se është praktikë normale të japësh ryshfet te një zyrtar tatimor, këtë e pranojnë 23% e ndërmarrjeve në Mal të Zi, duke rezultuar shumë lart se mesatarja e vendeve në zhvillim që është 13%.”

Banka Botërore ka rishikuar me rritje nivelin e varfërisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, për Shqipërinë varfëria do të arrijë në fund të këtij viti 41.4%, por niveli do të ishte 43.6% thotë Banka nëse nuk do të ishin marrë paketa mbështetëse gjatë pandemisë.

“Pavarësisht se qeveritë morën masa të shpejta, ato nuk arritën të zgjidhin çështjet e varfërisë si duhet. Për shembull, në Shqipëri, nëse i njëjti buxhet do të jepej për familjet me fëmijë nën 18 vjeç, kjo transfertë do të mbulonte 70% të familjeve të varfra.”

Gjithë situata për përballimin e krizës ka dhënë një kosto të konsiderueshme në anën fiskale: të ardhurat janë tkurrur dhe borxhi është rritur. Në tremujorin e dytë të këtij vitit, Ballkani Perëndimor humbi 139 mijë vende pune, gjysma prej të cilave në Shqipëri dhe Serbi, ku goditjen më të madhe e kanë patur sektori i turizmit dhe transporti.

Tv Klan