Shqipëria dhe Serbia udhëheqin rajonin sa i takon shtimit të vendeve të reja të punës. Një raport i Bankës Botërore që i referohet trendit në tregun e punës për vitin 2019 konstaton se në rajonin e Ballkanit Perëndimor rritja e punësimit deri në pjesën e parë të 2018-s është ngadalësuar krahasuar me një vit më parë.

Gjithsej janë hapur 68 mijë vende pune nga 230 mijë në 2017-ën, por më shumë se gjysma e vendeve të hapura, 38 mijë, rezultojnë të jenë gjeneruar në Shqipëri.

Megjithatë raporti vëren se sërish papunësia tek të rinjtë, edhe pse në ulje, mbetet një plagë për ekonominë shqiptare. Zv/ministrja e Financave për çështjet e punësimit Dajna Srensen thotë se qeveria është duke punuar me një program intensiv për punësimin e tyre.

Por Shqipëria rezulton se është shteti i parë në rajon me peshën më të madhe të punës në të zezë. Një në tre punë është informale, ku nuk paguhen sigurime dhe taksa. Por për Bankën Botërore ky raport vjen në përmirësim pasi më parë rezultonte se gjysma e të punësuarve ishin të paregjistruar.

Pavarsisht hapjes së vendeve të reja të punës, Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagës në rajon. Në 2018-n, paga mesatare rezulton 372 Euro në muaj, duke u renditur më poshtë edhe se Kosova me 511 Euro për një punëtor.

Tv Klan