Shqipëria merr notë pozitive në mënyrën sesi menaxhon borxhin publik, por nuk arrin të kalojë klasën te menaxhimi i aseteve publike. Banka Botërore ka realizuar një raport monitorimi mbi mënyrën e shpenzimeve të buxhetit dhe mbledhjes së të ardhurave, ku vendi ynë merr notën A në disa fusha, si ajo e borxhit, strategjitë fiskale dhe klasifikimi i buxhetit.  

Vlerësim më të ulët, D+ Shqipëria e merr në çështjet e shpenzimeve buxhetore dhe me notën C në menaxhimin e investimeve publike.

“Forcimi i menaxhimit të financave publike duhet të jetë një prioritet për Shqipërinë. Arritja e vlerës më të mirë të parave që vijnë nga fonde publike është edhe rruga më efektive për përmirësimin e shërbimeve bazë për qytetarët”, tha Maryam Salim, menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Investimet publike për vitin që shkoi janë duke u mbyllur me një raport negativ krahasuar me planin, rreth 90 milionë dollarë më pak, -15% më ulët se parashikimi, ndërsa krahasuar me 2016-n ato janë rritur me 30%, ose 120 milion dollarë më shumë.

Tv Klan