Ali Ahmeti këmbëngul për një Kryeministër shqiptar

Fjalia që në njoftimet e LSDM-së përsëritet pothuajse çdo ditë, që nga java e kaluar, pasi filluan negociatat politike për formimin e qeverisë së re, është se bisedohet seriozisht për shumicë stabile parlamentare dhe koalicion qeverisës me mandat të plotë.

“Qeveria e re do të punojë për kujdes edhe më të madh për të gjithë, për përforcim të standardit ekonomik, për pastrim të sistemit gjyqësor, për sigurimin e shtetit të së drejtës dhe për luftë kundër Covid-19. Qeveria që do t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE dhe e cila çdo kapitull të ri që do të hapet do të vendosë standarde të reja evropiane për jetë më të mirë.” 

Por a fshihet pas fjalëve “qeveri stabile me shumicë parlamentare” koalicion me 62 deputetë, që do të thotë LSDM-ja dhe BDI-ja siç ishte deri më tani, plus PDSH-ja me një mandat deputeti, ose më shumë deputetë për vendime më të shpejta në Kuvend, përkatësisht kyçja edhe e opozitareve Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, për momentin nuk mund të thuhet me siguri.

Ajo që bëhet e ditur nga blloku i BDI-së është se fituesi në bllokun politik shqiptar me 15 deputetë, insiston në kërkesën parazgjedhore kyçe, kryeministër shqiptar, edhe atë në vitin e parë të mandatit, sipas formulës 1+3. Në të kundërt në partinë e Ali Ahmetit përmendet tërheqja e liderit të LSDM-së nga ambicia e tij për mandatin e dytë si kryeministër.

Negociatat vazhdojnë, me sugjerime se do të jenë afër rrumbullakësimit në fund të kësaj jave. Ndërkohë opozitarja VMRO-DPMNE, e cila gjithashtu shpreh bindjen se është e gatshme të formojë qeveri, e akuzon LSDM-në për mashtrime zgjedhore, mite dhe jo transparencë rreth financimit të fushatës. 

Tv Klan