Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca në Tiranë dhe koordinatori rezident i Kombeve të Bashkuara në Tiranë Brian James Williams nënshkruan këtë të premte marrëveshjen që i jep Shqipërisë 4 milionë Euro si ndihmë të shpejtë ndaj luftës me Covid-19.

Soreca u shpreh se këto para do të shërbejnë për pajisjen me materiale mjekësore materiale në shërbim të personeleve mjekësore për t’u përballur me pandeminë.

“Më lejoni që të përdor këtë mundësi për të shprehur falenderimet, mbështetjen dhe mirënjohjen e BE për të gjithë stafin, personelin tuaj, për të gjithë punonjësit në sektorin e shëndetësisë që janë në luftën e përditshme përballë Covid-19”, tha Soreca gjatë ceremonisë që u zhvillua online.

Koordinatori i Kombeve të Bashkuara tha përshëndeti masat e marra nga qeveria.

“Solidariteti jonë duhet të jetë i po të njëjtës shkallë siç është kjo krizë”, tha ai.

Ministrja Manastirliu shprehu mirënjohjen dhe i falenderoi Bashkimin Europian. Ajo u shpreh se këto masa do të shërbejnë për të forcuar personelin mjekësor.

Ministrja u shpreh se Shqipëria mori shpejt masa dhe ato po tregojnë qartë rezultatin e tyre.  

“Nuk harxhuam kohë dhe tashmë këto tregojnë qartë rezultatet e tyre”, tha Manastirliu.

“Përmes kësaj mbështetje, ne do të jemi në gjendje të mobilizojmë më shumë burime në luftën kundër COVID-19, në mbështetje të sistemit shëndetësor jo vetëm për sot, por edhe për nesër. Kjo ndihmë e menjëhershme duke mbështetur furnizimin e pajisjeve mjekësore, të tilla si ventilatorët mjekësorë, pajisjet e ICU, laboratorët, ambulancat automatike dhe mjetet e mbrojtjes së disponueshme për stafin e kujdesit shëndetësor, do të rrisë kapacitetet tona për të përmirësuar diagnozën dhe trajtimin e COVID-19”, u shpreh Manastirliu. /tvklan.al