Zyrtarë të Bashkimit Evropian kërkuan që blloku t’i përgjigjet më fuqishëm agresionit rus ndaj Ukrainës, duke paralajmëruar se qëllimi përfundimtar i Moskës është të përvetësojë pjesë të Ukrainës lindore.

Paralajmërimi vjen në një raport të shkruar nga zyra diplomatike e BE-së, që u shpërnda në fillim të kësaj jave midis vendeve anëtare të BE-së dhe u rishikua nga Radio Evropa e Lirë. Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe që nga ajo kohë mbështet separatistët që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.

Konflikti në këtë zonë ka lënë mbi 13,000 njerëz të vrarë dhe ka zhvendosur mbi një milion. Së voni, Rusia po ashtu ka vendosur mbi 100,000 trupa dhe armatim të rëndë në rajonet kufitare me Ukrainën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka kërkuar dhe fituar mbështetjen e Perëndimit përballë kërcënimeve ruse dhe Moska përfundimisht i ka tërhequr disa nga forcat e saj.

Dokumenti i BE-së, i parë nga REL dhe i quajtur “Dokumenti i opsioneve: Veprimet e BE-së për të forcuar qëndrueshmërinë e Ukrainës dhe për t’iu përgjigjur përshkallëzimit të mëtejshëm potencial”, rekomandon një seri hapash që blloku mund t’i ndërmarrë, përfshirë ndihmën për Ukrainën, për të ulur varësinë e saj energjetike nga Rusia, dhe mbështetjen për përpjekjet e Kievit “për të trajtuar kërcënimet hibride, përfshirë luftimin e kërcënimeve kibernetike dhe dezinformimin”.

Dokumenti u lëshua nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm. Ai po ashtu paralajmëron se Moska po përpiqet të përvetësojë zona të Ukrainës lindore, që janë pjesë e rajonit të Donbasit, duke organizuar zgjedhje të paligjshme dhe duke lëshuar pasaporta për vendasit.

Dokumenti bën thirrje për të ndihmuar Ukrainën edhe në përpjekjet e saj për vaksinimin e popullatës kundër koronavirusit, në mënyrë që të shmanget dobësimi i mëtejshëm i vendit nga kriza e zgjatur shëndetësore dhe socio-ekonomike. Dokumenti pritet të zyrtarizohet nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm në javët e ardhshme./REL