Shumica dërrmuese e krerëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian votuan “pro” vazhdimit të mbështetjes ushtarake për Ukraninën, në samitin e kësaj të Enjteje në Bruksel. Kundër ishte vetëm kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili shquhet si ndër të paktët miq të Vladimir Putinit mes aleatëve perëndimorë. Vota e tij kundër pengoi që ky të ishte një qëndrim i përbashkët i Unionit.
Mbështetja gati unanime e njohur ndryshe si “paqe përmes forcës” është një mesazh kundër Vladimir Putin, i cili ndërprerjen e ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin po përpiqet ta vendosë si kusht në negociatat me Shtetet e Bashkuara për paqen në Ukrainë.
Samitit iu bashkua virtualisht edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Nga Oslo ku ai ndodhej këtë të Enjte për vizitë zyrtare, Zelensky e quajti përjashtimin e mundësisë së anëtarësimit të Ukrainës në NATO si një dhuratë të madhe që i bëhet Vladimir Putinit. Zelensky tha se edhe heqja dorë nga territoret që kanë pushtuar rusët është e papranueshme, ndërsa për centralet energjetike brenda Ukrainës tha se ato do të vazhdojnë të jenë nën kontrollin e autoriteteve të vendit të tij.
Përjashtimin e mundësisë së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, pranimi i realitetit të ri në terren dhe marrja nën kontroll e centraleve nga Shtetet e Bashkuara kanë qenë disa prej lëshimeve që Trump i ka kërkuar Zelenskyt për hir të paqes në Ukrainë.
Presidenti ukrainas tha se të Hënën, delegacioni ukrainas do të takohet në Arabinë Saudite me palën amerikane për të diskutuar kushtet e armëpushimit për të cilat Donald Trump ra dakord këtë javë me Valdimir Putinin në një bisedë telefonike.
Tv Klan