Borrell: Rusia po ndjek qasje konfrontuese ndaj Europës

Marrëdhëniet e tensionuara midis Bashkimit Europian dhe Rusisë kryesojnë axhendën e takimit të ministrave të Jashtëm të bllokut në Bruksel.

Vazhdimisht Bashkimi Europian ka kërkuar lirimin e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny, duke kërcënuar në të kundërt me sanksione të reja.

I ashpër në deklaratën e tij ishte Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

“Është e qartë se Rusia po ndjek një qasje konfrontuese me Bashkimin Europian. Ka një refuzim të verbër për rastin e çështjes së zotit Navalny, refuzim për të zbatuar angazhimet ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut,” tha ai.

Rusia thotë se është e gatshme t’u përgjigjet sanksioneve të reja europiane me ndërprerjen e lidhjeve diplomatike.

Marrëdhëniet midis Brukselit dhe Moskës prekën fundin pas dëbimit të disa diplomatëve nga të dyja palët.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrove ndryshoi tonin e deklaratave pasi takoi homologun finlandez Pekka Haavisto dhe tha se Moska është e gatshme për t’i riparuar lidhjet dypalëshe.

Në axhendën e kryediplomatëve europianë është edhe shtypja e opozitës në Bjellorusi, gjendja e krijuar pas gushtit të shtetit në Mianmar, marrëveshja bërthamore e Iranit dhe gjendja në Etiopi.

Klan News