Udhëheqësit u zotuan për të krijuar një program investimi për mbrojtjen e bllokut si dhe për rritjen e dërgesave për armët

Bashkimi Evropian do të krijojë një gjykatë të specializuar, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të hetuar krimet e mundshme të luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë.

 “Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme, duke përfshirë krimin e saj të agresionit kundër një shteti sovran. Kjo është arsyeja pse, ndërkohë që vazhdojmë të mbështesim gjykatën penale ndërkombëtare, ne po propozojmë ngritjen e një gjykate të specializuar të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimin e agresionit të Rusisë. Ne jemi të gatshëm të fillojmë të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të marrë mbështetjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare për këtë gjykatë të specializuar. Rusia gjithashtu duhet të paguajë financiarisht për shkatërrimin që ka shkaktuar. Dëmi i pësuar nga Ukraina vlerësohet në 600 miliardë Euro”, ka thënë Von der Leyen. 

Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) me bazë në Hagë nisi hetimin e saj për krimet e supozuara kundër njerëzimit dhe krimet e luftës disa ditë pas pushtimit të Moskës më 24 shkurt, por ajo nuk ka juridiksion për të ndjekur penalisht agresionin në Ukrainë. Gjithashtu edhe ministrat e G7 ranë dakort për krijimin e një rrjeti  për të koordinuar hetimet për krimet e luftës.

Komisioni Evropian gjithashtu ka propozuar një plan për të konfiskuar asetet ruse që janë ngrirë për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës. Sipas Von der Leyen  KE ka bllokuar 300 miliardë euro të rezervave të Bankës Qendrore Ruse dhe kanë ngrirë 19 miliardë Euro para të oligarkëve ruse.

Ndërkaq aleatët e NATO-s premtuan më shumë armë për Ukrainën dhe pajisje për të ndihmuar në rivendosjen e furnizimit me energji elektrike të ndërprerë nga sulmet ruse, pasi Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se forcat e tij po mbroheshin kundër përparimeve ruse në rajone të shumta.  Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev paralajmëroi NATO-n kundër sigurimit të Ukrainës me sistemet e mbrojtjes raketore Patriot dhe denoncoi aleancën Atlantike si një “entitet kriminal”.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po bëjnë presion për të krijuar shpejt një program investimi për të rritur prodhimin në industrinë e mbrojtjes të bllokut, sipas një drafti konkluzionesh.  BE-ja u ka kërkuar prej kohësh shteteve anëtare që të bashkojnë forcat për blerjet e armëve por ato kanë hezituar ta bëjnë këtë dhe shkalla e dërgesave perëndimore të armëve në Kiev kanë shtuar një ndjenjë të re urgjence. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha këtë muaj se BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë ofruar armë dhe pajisje ushtarake me vlerë të paktën 8 miliardë Euro për Ukrainën deri më tani.

Klan News