Edhe pse u takuan me urgjencë të hënën për të koordinuar një përgjigje ndaj negociatave direkt SHBA – Rusi për fundin e luftës në Ukrainë, europianët janë ende pa një qëndrimin të bashkuar.

Edhe propozimi i Kryeministrit britanik Keir Starmer për dërgimin e trupave në Ukrainë e përçau më tej Europën. Një ditë pas takimit të Parisit, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen priti në Bruksel, të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, gjeneral Keith Kellogg.

Atij i përsëriti mbështetjen e Bashkimit Europian për Kievin.

Takimi i tyre erdhi pasi diplomatët e lartë amerikanë dhe rusë zhvilluan bisedime në Riad për të përmirësuar lidhjet dypalëshe dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, takim që u bë pa praninë e përfaqësuesve të Kievit apo BE-së.

Von der Leyen “përsëriti se çdo rezolutë duhet të respektojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të mbështetur nga garanci të forta sigurie”. Ajo gjithashtu “shprehu gatishmërinë e BE-së për të punuar së bashku me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe për të ndihmuar në sigurimin e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme që Ukraina dhe populli i saj me të drejtë meritojnë”.

Vendet e BE-së dhe Ukraina janë të alarmuar nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë që kërkojnë një marrëveshje dypalëshe paqeje.

Pas Brukselit, i dërguari amerikan udhëtoi drejt Varshavës ku u takua me Presidenti polak Andrzej Duda. Një koordinim qëndrimesh me aleatët europianë para se Kellogg të drejtojë negociatat Ukrainë – Rusi për fundin e luftës.

Të martën ai do të vizitojë për herë të parë që nga emërimi Kievin dhe do të takohet me Presidentin Volodymyr Zelensky. Ky i fundit shpreson të udhëtojë së bashku me të dërguarin amerikan në frontin e luftës.

Të hënën, ai u tha gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel se askush nuk do t’i imponojë një marrëveshje paqeje “një udhëheqësi të zgjedhur të një kombi sovran”.

Për të përshpejtuar procesin e negociatave me Moskën, administrata Trump ka përshkruar një plan që do të përjashton Ukrainën nga NATO, i jep territore Rusisë dhe mbyll derën për pjesëmarrjen e SHBA në operacionet e ardhshme paqeruajtëse.  

Klan News