Duhet të kesh jo më shumë se 13 të prekur për 100 mijë banorë

BE ka shtyrë marrjen e rekomandimit për rihapjen e kufijve të jashtëm, pasi 27 shtetet anëtare nuk ranë dakord as sot për një listë të “vendeve të sigurta” nga ku udhëtarët mund të vizitojnë Evropën duke nisur nga muaji Korrik. Bëhet fjalë për një rekomandim jo detyrues pasi nëse ka vende anëtare që nuk janë dakord me disa nga vende në listë, ata nuk janë të detyruar t’i hapin kufijtë për këto vende. Vendimi për këtë rekomandim pritet të merret me shumicë të cilësuar, pra me dy të tretat e votave, por gjithsesi kontrolli kufitar mbetet një kompetencë kombëtare e secilit shtet të BE-së.

Kriteri kryesor, i vendosur nga Brukseli për një shtet jashtë BE-së që t’i lejohen shtetasit që të hyjnë në zonën Shengen është që të ketë 13 raste të reja brenda dy javëve, për 100 mijë banorë. Që Shqipëria të jetë pjesë e listës së gjelbër duhet të ketë më pak se 13 raste të reja me Covid-19, për çdo 100 mijë banorë.

Aktualisht Shqipëria ka më shumë se 30 raste të reja për 100 mijë banorë, pra sa dyfishi i numrit të asaj që kërkohet nga BE. Edhe pse mediat përfolën një listë ku lihej jashtë vendi ynë, këtë kriter orët e fundit nuk e plotësojnë as Serbia dhe as Mali i Zi, madje në Beograd në duart e koronavirusit ka rënë kryeparlamentarja Maja Gojkoviç, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin dhe drejtori i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç.

Ka dhe kritere të tjera që BE po merr për bazë në këtë vlerësim për shtetet që do të përfshihen në listën e gjelbër siç janë masat mbrojtëse, numri i testimeve dhe gjurmimeve dhe masa e tjera specifike për të ndalur përhapjen e sëmundjes. Sidoqoftë, kriteret e bazuara në parametrat shëndetësorë janë përplasur me gjeopolitikën, pasi disa shtete evropiane nuk kanë dëshirë të ndalojnë kolektivisht SHBA ndërsa mirëpresin vizitorët nga Kina, ku filloi pandemia.

Komisioni Evropian ka avokuar vazhdimisht për një qasje të koordinuar në lidhje me këtë çështje. Shqipëria mund të ketë marrëveshje specifike me vende të ndryshme,  por që gjithsesi mund të kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve që duan të shkojnë me pushime. Lista që do të përfshijë shtetet me liri lëvizje drejt BE-së do të rishikohen çdo dy javë, në varësi të situatës epidemiologjike në shtete të ndryshme jashtë zonës Shengen.

Klan Plus