Në listë janë edhe Serbia e Maqedonia e Veriut

Bashkimi Europian hap më në fund dyert për turistët shqiptarë, të mbyllura prej më shumë se 1 viti pandemie të koronavirusit. Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se ambasadorët e 27 vendeve anëtare të unionit miratuan këtë të Mërkurë, përfshirjen e Shqipërisë dhe dy vendeve të tjera të rajonit, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në listën e vendeve, qytetarët e të cilëve lejohet të hyjnë për udhëtime jo-esenciale në hapësirën e përbashkët.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi brenda pak ditësh. Megjithatë, mediat shkruajnë se vende të ndryshme të BE-së mund të kenë kërkesa specifike shtesë për udhëtarët nga Shqipëria dhe vendet e tjera jo anëtare. Mund të kërkojnë testin e 72-orëve të fundit që dëshmon se nuk janë të infektuar ose edhe karantinë disa-ditore.

Krahas vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian ka lejuar me vendimin e fundit edhe hyrjen e turistëve nga Shtetet e Bashkuara, Libani e Tajvani.

Për të marrë statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të shënojë maksimumi 75 raste pozitive me koronavirus për 100 mijë banorë, në 14 ditët e fundit.

Prej 1 Korrikut, për lëvizjet brenda vendeve të BE-së do të kërkohet certifikata e gjelbër, që lejon lëvizjen e lirë në hapësirën e përbashkët për të vaksinuarit, ose për personat që kanë testin negativ apo një dokument që dëshmon se e kanë kaluar infektimit me Covid-19.

Vende si Spanja e Hungaria lejojnë hyrjen e të vaksinuarve edhe me dozat e vaksinës kineze Sinovac, e injektuar gjerësisht në Shqipëri. Ndërsa pjesa më e madhe e shteteve europiane njohin vetëm vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca.  

Tv Klan