Amerikanët kontrolle më të ashpra në kufi dhe karantinë

Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord të hënën të heqin SHBA-në dhe pesë vende të tjera, nga lista e vendeve të sigurta të udhëtimit, që do të thotë se shtetasit amerikanë do të ndeshen me kontrolle të rrepta kufitare, përfshirë detyrimin për të paraqitur rezultatin e një testi negativ PCR apo dhe të karantinohen.

Përveç SHBA-së nga lista e vendeve të sigurta hiqet gjithashtu Izraeli, Kosova, Libani, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore. Kjo listë është hartuar për të unifikuar rregullat e hyrjes për të gjitha vendet e bllokut, por ato nuk janë të detyrueshme për t’u zbatuar çka do të thotë se vendet anëtare do të vendosin vetë rregullat për secilin shtet.

Që përpara këtij vendimi, disa vende të BE-së si Gjermania apo Belgjika e kanë renditur SHBA-në në zonën e kuqe dhe kanë kërkuar nga shtetasit e saj të testohen apo të karantinohen, ndërsa fqinjët e tyre, Franca dhe Holanda e kanë konsideruar SHBA-në vend të sigurtë.

Kjo listë e BE-së hartohet mbi bazën e vlerësimit të situatë së pandemisë në secilin vend.

Javën e fundit të Gushtit incidenca e të infektuarve në SHBA është rritur në 450 vetë për çdo 1 milionë banorë nga 40 që ishte në mes të Qershorit.

Rastet në vendet e tjera të hequra nga lista, si në Izrael, Kosovë dhe Mal të Zi janë edhe më të larta.

Lista e sigurtë e BE-së përmban 17 vende, përfshirë Shqipërinë, Kanadanë, Japoninë dhe Zelandën e Re.

Pavarësisht situatës BE-ja lejon udhëtimet për qytetarët jo europianë që janë plotësisht të vaksinuar. Ndërsa në anën tjetër, Uashingtoni nuk i lejon europianët të udhëtojnë pa kufizime.

Klan News