Shqipëria përfiton një pagesë parafinancimi në vlerën e 64.5 milionë Euro nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Lëvrimin e këtij fondi ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato e ka cilësuar si një tjetër arritje dhe vlerësim për reformat e ndërmarra nga qeveria drejt anëtarësimit në BE.

“Urime Shqipërisë për arritjen e një tjetër momenti të rëndësishëm në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor. BE qëndron me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Evropa është këtu për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe kohezionin social ndërsa Shqipëria përgatitet për të hyrë në tregun unik të BE-së”, tha Gonzato.

Ndërsa ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me BE-në tha se kjo është një mundësi historike dhe se qeveria është e angazhuar në përmbushjen e plotë të kritereve për anëtarësimin e plotë.

“Ne e vlerësojmë këtë si një shenjë të qartë besimi nga BE-ja në rrugën e reformave të Shqipërisë dhe progresin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit në familjen evropiane”, tha Majlinda Dhuka.

Nga shuma totale, 30 milionë Euro jepen si kredi koncesionare për buxhetin e shtetit si mbështetje për zbatimin e reformave në kuadër të Axhendës së Reformave të vendit.

Ndërsa parafinancimi i mbetur prej 34.5 milionë Eurosh në grante dhe hua koncesionare do t’i injektohet drejtpërdrejt Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor për investime në infrastrukturë në Shqipëri.

Deri në vitin 2027, Shqipëria ka mundësi të marrë deri në 922 milionë Euro gjithsej nga mekanizmi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor në këmbim të reformave. Ndërsa Shqipëria përparon me zbatimin e Axhendës së Reformave, BE-ja do të zhbllokojë pagesat.

Tv Klan