Ultimatumi u paraqit në Sofje nga Komisioneri për Zgjerimin

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën Europiane të Fqinjësisë Oliver Varhelyi i dha Bullgarisë vetëm 3 javë kohë që të miratojë fillimin e negociatave të Shkupit për anëtarësimin në BE. Pas takimeve me zyrtarët më të lartë të Sofjes zyrtari i lartë europian tha:

“Ne jemi duke punuar për një zgjidhje të pranueshme reciprokisht mes Sofjes dhe Shkupit në mënyrë që të mund të realizojmë mbajtjen e konferencës së  parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Qershor. Është me rëndësi që të kemi Ballkanin Perëndimor fqinj të qëndrueshëm dhe të begatë. Pas 3 javësh do të kthehem në Sofje për të gjetur një bazë të përbashkët argumentash për të filluar procesin e negociatave brenda muajit Qershor”.

Në vend që të flasin në Shkup në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Petkov dhe Kovachevski do ta bëjnë këtë vetëm në Romë, një ceremoni tradicionale e viteve të fundit.

Ndërkohë tensionet e brendshme politike në Bullgari për mosmarrëveshjen me Maqedoninë e Veriut janë rritur së tepërmi.

Për të shpëtuar qeverinë kryeministri bullgar mund të ngrijë temën “Maqedonia e Veriut” së paku deri në Vitin e Ri, përkundër presionit të madh të BE-së. Europa dhe Shtetet e Bashkuara po nxitojnë të sjellin Maqedoninë dhe Shqipërinë në Bashkimin Europian, të shqetësuar se Putini mund të godasë pikërisht atje, duke nxitur armiqësitë e vjetra përgjatë linjave Shkup-Tiranë-Kosovë-Beograd.

Sipas qeverisë bullgare është momenti që të shihet nëse Maqedonia e Veriut ka një qëndrim serioz ndaj gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit ndaj popullatës etnike bullgare. Mediat maqedonase kanë raportuar se në takimin Petkov- Kovachevski në Romë të hënën e ardhshme është përgatitur dokumentacioni lidhur me procedurën për regjistrimin e bullgarëve në kushtetutë. 

Sipas kërkesave të kryeministrit Petkov, çelësi për heqjen e vetos kundër Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE është ndryshimi i kushtetutës, ku bullgarët duhet të regjistrohen si një popull shtetformues si shqiptarët, turqit dhe boshnjakët. Shkupi kërkon që vetoja e Bullgarisë të hiqet para ndryshimit të Kushtetutës së Maqedonisë, me angazhimin e qartë që nëse në të ardhmen rezulton se Maqedonia e Veriut nuk i përmbahet marrëveshjes, Bullgaria të mund të bllokojë fazën tjetër të procesit të negociatave.

Procesi parlamentar në Shkup për ndryshimin e kushtetutës mund të zgjasë nga gjashtë muaj deri në një vit e gjysmë sepse kërkohet një shumicë prej dy të tretave të votave në parlament të cilat VMRO-DPMNE, partia kryesore opozitare e Shkupit, fillimisht refuzoi t’i japë. 

Parlamenti Euvropian i bëri thirrje Sofjes dhe Shkupit që çështjen e tyre dypalëshe ta zgjidhin jashtë procesit të negociatave dhe që Këshilli Europian menjëherë të vendosë nisjen e negociatave që janë bllokuar me veton që po mban peng edhe Shqipërinë.

Klan News