Borrell: Autoritetet e reja të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog

Pavarësisht zotimeve të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për t’u përqendruar tek sfidat e brendshme si punësimi apo lufta kundër korrupsionit, BE kërkoi vazhdimin dialogut me Serbinë.

Një deklaratë e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Europian e shpërndarë edhe nga shefi i Politikës së Jashtme Joseph Borrell dhe nga komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, nënvizon pritshmëritë e Brukselit për t’u angazhuar në dialog konstruktiv me Serbinë.

“Bashkimi Europian pret formimin e Parlamentit të ri, qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të ri pas zgjedhjeve në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën të përparojë në rrugën europiane. Kërkojmë ndërmarrjen e reformave dhe presim që autoritetet e reja të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.”

Në deklaratën e tij pasi shpalli fitoren në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, Albin Kurti tha se dialogu me Serbinë nuk është përparësi e tij.

“Nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë, në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu më Serbinë është herë në vendin e 6 e herë në të 7, neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, ne u përgjigjëmi atyre. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, është shprehur Kurti.

Gjatë fushatës ai është zotuar ta nxjerrë Kosovën nga pazaret e dialogut me Serbinë dhe t’i kërkojë Beogradit në çdo takim ndërkombëtar dëmshpërblim për dëmet e luftës.

Pritshmëri për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohjen e Kosovës në finale ka edhe administrata e re amerikane.

Klan News