Shkak tërheqja nga marrëveshja bërthamore

Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca paralajmërojnë rrezikun e destabilizimit të Lindjes së Mesme nëse Irani tërhiqet plotësisht nga marrëveshja bërthamore e 2015-ës. Qeveritë e këtyre vendeve publikuan një deklaratë të përbashkët, teksa Teherani tejkaloi kufirin e pasurimit të uraniumit sipas akordit, me fuqitë e mëdha pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara.

“Rreziqet janë të mëdha ndaj dhe duhet që të gjitha palët të ndalen dhe të marrin parasysh pasojat e veprimeve të tyre. Besojmë se ka ardhur koha për të vepruar me përgjegjshmëri, në gjetjen e rrugëve për të ndaluar përshkallëzimin e tensioneve dhe për t’iu rikthyer dialogut”, thuhet në deklaratën e përbashkët. 

Ministri i Jashtëm britanik Xheremi Hant tha se do të ndërmerrte rolin e negociatorit mes kryediplomatëve europianë për të ndalur dështimin e marrëveshjes bërthamore. Teherani ka shprehur gatishmërinë për t’iu rikthyer bisedimeve, por zyrtarët vendas thonë se janë të detyruar t’i rikthehen pasurimit të uraniumit, pasi pala europiane nuk ka bërë asgjë për të mbuluar dëmet që i kanë shkaktuar ekonomisë iraniane, sanksionet e rënda amerikane pas vendimit të Donald Trampit për t’u tërhequr nga marrëveshja.

Tv Klan