Ilaçi për kurimin e Covid-19 nuk rekomandohet për gratë shtatzëna, apo nënat gjidhënëse

Rregullatori i barnave i Bashkimit Evropian, ka këshilluar përdorimin e pilulës eksperimentale të kompanisë Merck për kurimin e Covid-19. Sipas EMA-s pilula duhet të jepet brenda pesë ditësh nga simptomat e para të sëmundjes te personat e rritur, të cilët nuk kanë nevojë për trajtim me oksigjen dhe nuk janë në rrezik që gjendja shëndetësore t’iu përkeqësohet.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se pilula duhet të merret dy herë në ditë për pesë ditë, por ka këshilluar mospërdorimin e këtij ilaçi nga gratë shtatzëna apo atyre që planifikojnë të bëjnë fëmijë.

EMA lëshon këtë këshillë për të mbështetur autoritetet kombëtare që mund të vendosin për përdorimin e mundshëm të këtij ilaçi, para se ai të marrë miratimin e tregut”, tha EMA.

Muajin e kaluar, EMA nisi të shqyrtojë pilulën e kompanisë Merck, që quhet Lagevrio dhe pritet të shikojë edhe të dhënat e pilulës së krijuar nga kompania Pfizer, me qëllim që të japë rekomandimin nëse duhet të përdoret ose jo.

Po ashtu EMA tha se edhe nënat gjidhënëse duhet të ndalojnë ushqimin e fëmijëve me gji në kohën kur marrin pilulën e kompanisë Merck.

Më 1 Tetor, Merck kishte thënë se pilula e prodhuar nga kjo kompani zvogëlon me 50% rrezikun për sëmundje të rëndë, nëse terapia merret për pesë ditë.

Klan News