Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih foli gjithashtu edhe në lidhje me kërkesën për të rritur investimet në fushën e mbrojtjes të vendeve europiane.
Rama u shpreh se nuk mund të investohet kaq shumë në mbrojtje dhe të lihen menjëanë arsimi dhe kujdesi shëndetësor.
Kryeministri theksoi se Europa duhet të mendojë në dy pika, që të jetë e fuqishme ushtarakisht, por edhe më e fuqishme ekonomikisht.
“Mendoj se ekziston një paradoks për të cilin duket sikur askush nuk po mendon. Ka një nxitim për të investuar në mbrojtje, por cila është përgjigja ndërkohë që teksa fuqi të tjera investojnë në mbrojtje kanë edhe norma mjaft të arsyeshme të rritjes ekonomike, ndërkohë që Europa nuk e ka. Ku do t’i gjejë Europa të gjitha këto para për të bërë të gjitha këto investime në mbrojtje dhe nuk kam dëgjuar kurrë diçka më të marrë sesa duhet ta lëmë menjëanë arsimin, kujdesin shëndetësor sepse tani përparësia jonë shtë të mbijetojmë. Nëse përgjigja për të pasur më shumë investime dhe fuqi ushtarake është të shndërohemi në një kontinent injorance është më mirë që të na pushtojë dikush se nuk vlejmë për asgjë.
Shqipëria ka qenë gjithmonë gati që të pushtohet nga amerikanët apo nga europianët, problemi është se asnjëri nuk do të na pushtojë. Pika e dytë lidhet me të parën. Europa duhet të mendojë në dy pika, po e fuqishme ushtarakisht, por edhe më e fuqishme ekonomikisht. Dhe më e fuqishme në të gjitha sfidat që lidhen me të ardhmen Amerika e shpiku Inteligjencën Artificiale, Kina e kopjoi, Europa edhe pa e pasur e konkurroi. Jemi në këtë proces dhe është e qartë që Europa ka çelur diskutimet dhe Presidentja Von Der Leyen po e merr shumë personalisht zgjerimin, por ndërkohë na thonë rregulloni, pra hartoni rregullore, por si do të vazhdojë kjo gjë. Nga përvoja ime kam njohur dy Bashkime Europiane. Atë që njohin të gjithë, BE i diskutimeve të mëdha dhe një Bashkim tjetër Europian që funksionon si orë zvicerane 24 orë në shtatë ditë të javës, 30-40 mijë njerëz që hartojnë çdo ditë nuk e di se sa rregullore. Pra nuk ka luftë, krizë, ndryshim klimaterik, apo kërcënim bërthamor që ndryshon mënyrën se si funksionin kjo mënyrë si orë zvicerane”, shprehet Rama.
Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Bashkimi Europian ka më shumë nevojë për Ballkanin Perëndimor dhe vende të tjera që nuk janë pjesë e unionit, se sa mund të ketë nevojë këto të fundit për BE. Kryeministri theksoi se nëse Europa dëshiron të dalë nga kjo krizë e vetmja zgjidhje është bashkimi.
“Ky zgjerim është trajtuar si një lloj bujarie, por po ju them që sot BE ka nevojë për ne, më shumë se sa kemi nevojë ne për ta, kur them ne, nuk po flas vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të gjitha ata vendet që nuk janë pjesë e këtij unioni, sepse ne jemi mësuar të mbijetojmë. Çfarëdo që të ndodh do të vazhdojmë të jemi këtu. Problemi është që nëse BE do të dojë të dalë nga këto kriza duhet të bashkohet si Europë. Amerika pa Europën është një ishull, Evropa pa Amerikën, është një gadishull, kështu që ai ishull dhe ky gadishull duhet të jenë bashkë ”, theksoi Rama./tvklan.al