Udhëheqësit e Bashkimit Evropian paralajmëruan këdo që e fiton garën për t’u bërë kryeministër i Britanisë se marrëveshja për Brexit-in, apo daljen e këtij vendi nga BE-ja, nuk do të ndryshohet. Në garë për kryetar të Partisë Konservatore të Britanisë dhe rrjedhimisht kryeministër janë: Boris Johnson dhe Jeremy Hunt.

Të dy thonë se duan të rinegociojnë marrëveshjen që kryeministrja në largim, Theresa May, e ka arritur me Brukselin. Marrëveshja mbi kushtet e divorcit është arritur nëntorin e kaluar, pas dy vjetësh negociata, por ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik – gjë që ka çuar edhe në dorëheqjen e Mayt.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të premten se blloku “do të mbetet shumë i saktë dhe i durueshëm”, pavarësisht dramës politike që po zhvillohet në Londër.

Tusk tha se të 27 anëtarët e mbetur të BE-së pajtohen se nuk mund të ketë ndryshime të marrëveshjes së divorcit. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha po ashtu se udhëheqësit e BE-së “kanë përsëritur njëzëri se nuk do të ketë negociata të reja për marrëveshjen e tërheqjes”.

Britania ka vendosur të dalë nga Bashkimi Evropian në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka paralajmëruar atë për pasoja të rënda ekonomike nëse Brexit-i bëhet pa marrëveshje me BE-në./REL