Refugjatët nuk duhen përdorur si plumba

BE akuzoi Rusinë dhe Bjellorusinë se po i përdorin refugjatët nga Lindja e Mesme si plumba për të destabilizuar BE-në. Në konferencën për Mesdheun, shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell bëri thirrje për koordinim për të përballuar këtë situatë të vështirë.

“Ne nuk mund t’i mbyllim dyert ndaj emigracionit por duhet të dimë ta menaxhojmë atë. Ne duhet të përballojmë situatën e fundit të krijuar në kufijtë me Bjellorusinë. Ne duhet që të ndalim këtë vërshim njerëzish që po përdoren si plumba ndaj kufijve europianë. Ata janë militarizuar dhe nuk mund të lejojmë që kjo situatë të përshkallëzohet”.

Në kampet pranë kufirit Bjellorusi me Poloninë,refugjatët nga Siria, Iraku, Afganistani thonë se atyre iu premtua një jetë më e mirë në BE por janë duke jetuar në kushte çnjerëzore ndërsa kanë paguar deri në 3,000 euro secili tek një ndërmjetës në Turqi.

Në acarin jashtë kufirit, një roje kufitare bjelloruse bën topa bore për fëmijët emigrantë, shumë prej të cilëve nuk kanë parë kurrë borë më parë. Por ndërsa bora i kënaq fëmijët, ajo është një pengesë për prindërit e tyre. Rreth 1700 njerëz aktualisht janë të strehuar në një kamp.  Ndërkohë disa raste të të infektuarve me Covid-19 janë regjistruar në kampin e refugjatëve në kufirin polako-bjellorus.

Polonia ka vendosur mbi 20,000 roje kufitare, ushtarë dhe policë në një zonë të mbyllur kufitare, ndërsa autoritetet bjelloruse kanë kthyer shumë emigrantë në Minsk për t’i lënë ata të kthehen në vendet e tyre gjë që ka ndodhur në pak fluturime riatdhesimi. Pjesa më e madhe e këtyre familjeve të refugjatëve kanë hyrë në borxhe ose kanë shitur apartamentet dhe shtëpitë e tyre e për ta nuk ka kthim prapa.

Rreth 314 kontrabandistë nga vende si Gjermania, Suedia, Ukraina dhe Gjeorgjia janë arrestuar deri tani në Poloni.

Ndërsa kalimet janë bërë më të vështira, kontrabandistët i kanë rritur çmimet e tyre deri në 10,000 dollarë.

Klan News