Brukseli kërkon qarkullim të lirë të përbërësve të vaksinave

Bashkimi Europian do t’u kërkojë Shteteve të Bashkuara të lejojnë që miliona doza të vaksinës kundër Covid-19 të firmës AstraZeneca të eksportohen në Europë. Sipas FinancialTimes-it, Brukseli dëshiron gjithashtu që Uashingtoni të sigurojë qarkullimin e lirë të përbërësve të vaksinës që dozat të prodhohen në Europë.

Nisma e re e Brukselit është pjesë e përpjekjeve për të plotësuar boshllëqet në furnizimet me vaksina që po vonojnë hapjen e tregut dhe përkeqësojnë recesionin ekonomik.

Sipas agjencisë Bloomberg, BE po humb miliarda euro për shkak të procesit të ngadaltë dhe kaotik të shpërndarjes së vaksinave krahasuar me vende të tjera si Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Masat kufizuese të vendosura në vendet e BE-së rezultojnë se po sjellin humbje të prodhimit që mund të kushtojnë deri në 12 miliardë euro në javë.

Bloomberg thotë se nëse vonesat vazhdojnë për një ose dy muaj të tjerë BE-ja do të pësojë një dëm ekonomik prej 50-100 miliardë euro.

Prej kohësh Bashkimi Europian është përfshirë në një mosmarrëveshje me kompaninë farmaceutike anglo-suedeze AstraZeneca për shpërndarjen e vaksinave. Ky zhvillim e detyroi Komisionin Europian që të zbatojë një mekanizëm kontrollë për eksportet e vaksinave antiCovid-19.

Në nivel global, Organizata Botërore e Shëndetësisë, kërkon që prodhuesit e vaksinave të heqin dorë nga patentat në mënyrë që dozat të prodhohen dhe shpërndahen më shpejt.

Klan News