Bashkimi Evropian ka shtyrë masat e tij të para kundër Shteteve të Bashkuara mbi tarifat e metaleve të Presidentit Donald Trump deri në mes të Prillit, duke e lejuar atë të rimendojë se cilat mallra amerikane do të preken.
Komisioni Evropian kishte propozuar rivendosjen e tarifave të vitit 2018 për 4.5 miliardë Euro të produkteve amerikane më 1 Prill, e ndjekur nga goditja e 18 miliardë Eurove të tjera të mallrave amerikane më 13 Prill.
“Tani po shqyrtojmë të përafrojmë kohën e dy grupeve të kundërmasave të BE-së, në mënyrë që të mund të konsultohemi me vendet anëtare. Dhe kjo do të na jepte gjithashtu kohë shtesë për negociata me partnerët tanë amerikanë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Kjo qasje do të na lejonte të japim një përgjigje të forte ndaj masave të SHBA-së”, është shprehur Maros Sefkoviç.
Tarifat e SHBA deri në 25% do të zbatohen për çelikun dhe aluminin dhe produkte të tjera. Sefkoviç konfirmoi se të gjitha kundërmasat e BE-së kundrejt SHBA-së do të hynin në fuqi në mes të Prillit.
“Më 12 Mars, SHBA vendosi tarifa 25% mbi eksportet e çelikut dhe aluminit nga Evropa. Kjo është afërsisht 5% e totalit të eksporteve të BE-së. Këto tarifa po dëmtojnë kompanitë, punëtorët dhe qytetarët evropianë. Rruga përpara duhet të jetë që Evropa dhe SHBA të bashkëpunojnë së bashku. Ne nuk po hezitojmë të marrim masa në këtë drejtim”, tha Sefkoviç.
Ai theksoi gjithashtu se Komisioni Europian do të vlerësojë më 2 Prill veprimet e ndërmarra nga SHBA dhe do të kundërpërgjigjet në përputhje me rrethanat.
Presidenti Donald Trump ka kërcënuar nga ana tjetër se do të vendosë një tarifë 200% për verën, shampanjën dhe pijet te tjera evropiane nëse BE zbaton planin për një tarifë shtesë ndaj uiskit amerikan.
Klan News