750 mld Euro fond për të dalë nga kriza. Fokusi tek mjedisi dhe dixhitalizimi  

Bashkimi Europian kërkon të nxjerrë vendet e unionit nga kriza e Covid-19 duke akorduar një fond të posaçëm për rigjallërimin e ekonomisë europaine.

Ursula von der Leyen e quajti fondin e rindërtimit prej 750 miliardë Eurosh si “shans të shekullit për Evropën” dhe “një moment historik”.

Ajo çka mund të cilësohet një risi është se për herë të parë BE-ja po merr borxhe të përbashkëta. Gjatë krizave të tjera, si kriza financiare një dekadë më parë, kjo ishte e paimagjinueshme.

Por përpara se 27 vendet e Bashkimit Evropian të marrin para nga ky fond, më shumë se gjysma e tyre si grante, pjesa tjetër si hua me përqindje të ulta, duhet që të gjitha vendet anëtare të paraqesin planet e tyre të hollësishme se si duan t’i përdorin miliardat.

Institucionet e BE-së kanë përcaktuar që 37 përqind e shumës që do të marrë secili vend duhet të përdoret për mbrojtjen e klimës dhe 20 përqind për ndryshimin dixhital, të dyja këto janë çështje thelbësore të Komisionit aktual të BE.

Një kusht tjetër për të cilin këmbënguli veçanërisht Gjermania është që paratë duhet të jenë të ndërvarura prej reformave që seciili vend do duhet të marrë gjatë kohës kur do të disbursohen fondet.

Klan News